BE e ashpër me Serbinë: Sulmi një akt terro*rist, agresorët nuk mund të barazohen me viktimat

Pas vendimit të Serbisë për të shpallur ditën e mërkurë zi kombëtare për 3 terroristët që u vranë pas ekzekutimit të policit të Kosovës, Bashkimi Europian ka një reagim të ashpër. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se institucionet e BE në Beograd nuk i ulën flamujt në gjysmështizë, ashtu siç bënë në Prishtinë, pasi në asnjë mënyrë viktimat e terrorizmit nuk mund të barazohen me terroristët.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë Josep Borrell më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

Nga ana tjetër, Stano theksoi edhe se sipas BE-së sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ishte sulm terrorist dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet.

“Para së gjithash më lejoni të përsëris shumë qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ai ishte një sulm terrorist dhe si sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë. Secili që ka rol duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ky sulm terrorist jo vetëm të hetohet në tërësi, por të ketë përgjigje para drejtësisë për ata që e planifikuan, kryen dhe që qëndrojnë prapa këtij sulmi”, tha Stano.

SHKARKO APP