BE përshëndet miratimin e “5 Qershorit”, apeli i Sorecës: Mos dëmtoni frymën e reformës zgjedhore
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca përmes një mesazhi në ‘Twitter” ka përshëndetur miratimin në Kuvend të marrëveshjes së ‘5 qershorit’ për reformën zgjedhore.
Në reagimin e tij Soreca bën thirrje që palët të vazhdojnë dialogun sa i takon ndryshimeve shtesë, që sipas tij nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Bashkimi Evropian mirëpret miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur në 5 qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e pranimit në BE siç thuhet në konkluzionet e Këshillit më 25.3.2020. Dispozitat e reja legjislative do t’i japin Shqipërisë një kuadër zgjedhor me integritet dhe standarde transparence më të larta, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi në dijeni të propozimeve shtesë për reformën e sistemit zgjedhor. Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit.”, thuhet në mesazhin e Sorecës.