Begaj dekretoi ligjin e PS-së për Komisionet Hetimore, Tabaku: Shans i humbur për të pasur gjithëpërfshirje
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me dekretin e presidentit Bajram Begaj për ligjin e PS-së për Komisionet Hetimore. Tabaku shkruan se dekretimi i këtij ligji nga Begaj, është shans i humbur për të pasur një ligj gjithpërfshirës. Sipas saj, edhe pse ligji u dekretua, sërish është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me frymën e integrimit europian.
“Dekretimi nga Presidenti i Ligjit për Komisionet Hetimore është një shans i humbur për të pasur një ligj jo vetëm konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit, por gjithashtu edhe një ligj gjithpërfshirës në shërbim të mekanizmave të balancës dhe kontrollit që ka pushteti legjislativ ndaj atij ekzekutiv. Ky dekret nuk do të thotë aspak që ligji i miratuar me votat e socialistëve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në antagonizëm të plotë me frymën e integrimit Europian”,-shkruan Tabaku.
Më herët, reagoi edhe Gazment Bardhi, që e cilësoi të turpshëm dekretimin e ligjit për komisionet hetimore nga presidenti Begaj.
”Akt i turpshëm i presidentit, i cili jo vetëm vendosi të miratojë dhe të shpallë me ligj antikushtetuese, i bëj thirrje të ngrihet në lartësi, i dha fund shansit që i kishim dhënë presidentit që ta përmbushte këtë mision. Nëse do të kishte kompromis do ta kishim mbyllur vetë këtë çështje, roli është për të qenë mbi palët jashtë njërës apo tjetrës palë”.