Begaj përshëndet njohjen e Kosovës nga Kenia: U prit ngrohtësisht nga gjithë shqiptarët

Presidenti Bajram Begaj ka përgëzuar Kosovën për njohjen si shtet të pavarur e sovran nga Republika e Kenias.
Në një mesazh të posaçëm, Begaj falënderoi homologun e tij, Presidentin e Kenias, William Ruto, për marrjen e këtij vendimi të drejtë e të duhur.
Po ashtu kreu i shtetit shkroi gjithashtu se ky vendim i shtetit afrikan është mirëpritur ngrohtësisht nga të gjithë shqiptarët.
”I kënaqur që Kenia e ka njohur sot shtetin e Kosovës. I shpreh mirënjohjen time mikut tim, William Ruto, për këtë vendim të mirëpritur ngrohtësisht nga të gjithë shqiptarët”, shkruan Begaj.
Kenia – shtet afrikan – e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh atë.
Njohja nga Kenia është e para për Kosovën në katër vjetët e fundit.
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte i pari që njoftoi për njohjen e vendit nga Kenia, para se presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, të konfirmonte zyrtarisht se ka pranuar njohjen nga homologu i saj kenian, William Ruto.
“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë”, shkroi Osmani në Facebook.
Pacolli, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars.
Pacolli e publikoi një fotografi nga ajo që tha se ishte ceremonia e nënshkrimit të njohjes. Në fotografi, Pacolli shihet duke qëndruar pranë presidentit të Kenias, William Ruto, teksa ai nënshkruan në një dokument.