Bejko për tritolin: Sulmi prapavijë politike, po tentojnë të boshatisin Lazaratin
Teksa ka shprehur shqetësimin për sulmin e përsëritur me lëndë eksplozive ndaj familjes së tij, kreu i PD-së Gjirokastër Roland Bejko thotë se ngjarja ka prapavijë politike.
Në një lidhje telefonike për Ora News, Bejko tha se është e pabesueshme sesi akte të tilla kriminale ndodhin nën hundën e një prezence të shtuar të policisë.
Sipas tij ose policia është e paaftë për të identifikuar elementë të tillë, ose ka një koordinim me palëve.
“Rreth mesnatës është hedhur një kallëp tritoli në oborrin e shtëpisë së babait tim, ku janë dëmtuar porta dhe disa elementë të tjerë të shtëpisë. Ajo që më shqetëson është fakti se është hera e dytë brenda një jave, pasi ka pasur një tendencë tjetër për të bërë një shpërthim të tillë po në oborrin e shtëpisë së babait tim. Para një jave është hedhur një kallëp tjetër por fitili ishte shuar dhe nuk kishte shpërthyer.
Po fakti që në rrugët e Lazaratit qarkullojnë me shumicë patrulla policie, sidomos këto ditët e fundit pas një përplasje që ka ndodhur aty me një makinë policisë dhe disa njerëz dhe lëvizin paralelisht me ta, hije të zeza, hije nate me kallëpë tritoli në dorë duke shkëmbyer rrugët do të thotë që ose policia është e paaftë për ti zbuluar ose do të ketë një koordinim.
Fakti që është hera e tretë që kjo ndodh në pronën e babait tim , nuk mund të përjashtohet fakti se kjo mund të ketë një prapavijë politike. Gjithsesi policia është në hetim, organet e hetimit do të bëjnë punën e tyre nëse janë të aftë. Përndryshe nëse ata nuk e kryejnë këtë detyrë dhe nuk na japin emrat e personave që janë të implikuar në këtë ngjarje më lind e drejta të mendoj që ka një prapavijë të qartë politike”.
Për kreun e PD-së, ngjarja është e lidhur edhe me zgjedhjet e ardhshme vendore. Sipas tij ka një tendecë për të shtuar konfliktin në atë fshat, me qëllim largimin e banorëve.
“Çdo qytetar sot është i rrezikuar dhe nuk është çështja te një individ. Dje e hodhën tritolin në shtëpinë e babait tim, nesër mund ta hedhin diku tjetër e kështu me radhë. Këta janë misionarë të konflikteve dhe çekuilibrave sociale. Mendoj që është e lidhur kjo edhe me zgjedhjet e ardhshme.
Sepse dihet kjo që nëse do të ketë pasiguri, destabilitet dhe sa më shumë presion dhe dhunë në atë fshat, e ardhur kjo në daç nga kapërcimi i kompetencave të rendit që nuk ka ndodhur herë tjetër, në daç nga keqbërës që janë shërbëtorë të instrumentalizuar të klaneve të ndryshme kanë një qëllim, largimin e banorëve dhe bërjen e këtij fshati të pabanueshëm.
Kjo do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë më pak votues nga Lazarati, pasi dihet që sasia e votave që ka Lazarati do të bëjë diferencën dhe bën garën konkuruese. Kështu them që ka dhe prapavijë politike kjo për të futur konfliktin në Lazarat”.
Teksa kërkoi nga policia të gjejnë dhe arrestojnë keqbërësit, Bejko uroi që shpërthimi i mbrëmshëm të mos shërbejë si pretekst nga blutë për të rritur sërish prezencën e saj atje.
“Uroj që policia pas kësaj ngjarje të mos gjejë justifikim për të shtuar prezencën dhe të vështirësojë jetën e banorëve në atë fshat, por në mënyrë operativ e të kryejë punën e saj për të zbuluar keqbërësit.
Për aq kohë sa keqbërësit nuk do të jenë të idenfikuar edhe jeta e babait tim dhe gjithë të tjerëve është e rrezikuar. Shqiptarët jan ë gjithmonë e më të pasigurt si në Lazarat ashtu dhe në zona të tjera”.