Bektashinjtë festojnë Sulltan Nevruzin, Nishani uron më shumë shpresë

Besimtarët myslimanë bektashinj kremtojnë sot, ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Dita e Sulltan Nevruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.

Në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua ceremonia tradicionale fetare, ku Baba Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët me rastin e Sulltan Nevruzit.

Urimet për festën i ka përcjellë kreu i Shtetit Bujar Nishani, duke uruar më shumë dashuri, paqe, begati për të gjithë besimtarët.

“Të flasësh për Sulltan Novruzin dhe Bektashizmin do ishte tejet e mangët pa përmendur rolin e madh patriotik, rilindas, emancipues, qytetërues që bektashizmi, baballarët, teqetë dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me ta.

Mjaft të kujtosh se, jo vetëm gjatë periudhës diktatoriale, por në përgjithësi gjatë stuhive të kohërave, edhe pse jo të vetmit, bektashinjtë kanë qenë nga më të shquarit që i kanë dal zot e i kanë vënë shpatullat situatave nga më të vështirat për fatet tona historike, duke mos i lënë shqiptarët të ligështohen dhe Shqipërinë të vdesë.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, janë ende të gjalla kujtimet e gjyshërve tanë të cilët kishin mësuar shkrim e këndim Shqip nëpër teqe të shenjta që ishin shndërruar në shkolla dhe baballarë patriotë në mësues.Me rastin e kësaj feste të mrekullueshme, me shpirt e me zemër, u uroj të gjithëve:Mbarësi, mirëqenie, begati, mirëkuptim, pajtim, paqe, dashuri, shpresë!”

Sipas sektit bektashian festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme.

SHKARKO APP