Sekuestrohet pallati në Farkë, Belinda Balluku: Investitori ka dy mundësi; ose ta blejë me çmim tregu ose t’ia dhurojë shtetit

Zëvendëkryeministrja Belinda balluku ishte e pranishme te pallati 9-katësh që u sekuestrua nga shteti ditën e sotme në Farkë.

Balluku tha se investitorit do i jepen dy mundësi, e para është që ta blejë investimin me çmim tregu dhe e dyta është që t’ia dhurojë shtetit. Nëse zgjedh një nga këto dy mundësi, investitori i shpëton ndjekjes penale, por është i detyruar të paguajë gjobë. Nëse investitori nuk pranon, investimi do i konfiskohet, do paguajë gjobën si edhe do ndiqet penalisht.

“Bazuar në VKM që doli vetëm një ditë më parë ka disa mundësi për këtë objekt, mundësia e parë është që ky objekt pasi të verifikohet nga inspektorët e IKMT do shikohet edhe mundësia për prishjen. VKM i jep edhe disa mundësi të tjera, në radhë të parë do ti ofrojmë mundësinë që ta parablejë këtë vepër me një çmim të tregut por ama të indeksuar. Paratë, nëse investitori vendos ta parablejë, do shkojnë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë me destinacion shpronësimet, në këtë rast shpronësimet që do kemi në projektet e ndërtimit të unazës së madhe. Në variantin e dytë investitorit do i ofrohet mundësia që ta dhurojë këtë objekt. Duke e dhuruar padyshim që do ta përdorim për banesa sociale për të akomoduar banorë që preken nga projekti i unazës së madhe, në raste të tjera mund të përdoret për zyra. Në të dyja raste padyshim që investitori që ka shkelur ligjin do jetë i detyruar të paguajë gjobë. Nëse zgjedh një nga këto dy veprime do ketë të drejtën e legalizimit të ndërtesës që do të thotë nuk do të ndiqet penalisht. Nëse investitori s’do pranojë ta paguajë e as ta dhurojë atëherë kjo ndërtesë do të konfiskohet. Gjithashtu do ndiqet penalisht, përveç gjobës që paguhet në të gjitha rastet”, tha Balluku.

Ndërkohë ka shumë ndërtime të tjera në Tiranë dhe rrethe që do të ndjekin këtë procedurë që deklaroi zv/kryeministrja Balluku.

SHKARKO APP