BEN BLUSHI: FANTAZMA E KORÇËS DHE ZOTI

Nga Ben Blushi-

FANTAZMA E KORÇËS DHE ZOTI

Ka njerëz që janë të bindur se ne jetojmë mes fantazmave. Unë natyrisht nuk bëj pjesë tek ata sepse besoj se ne jetojmë mes të gjallëve dhe se të vdekurit që sillen rreth nesh si fantazma, janë krijesa të frikës tonë.

Një herë, flija në një shtëpi në Korcë, pronarët e të cilës ishin të bindur se cdo natë vizitoheshin nga fantazma e të zotit të vjetër të asaj shtëpije, që mesa duket kishte vdekur i uritur dhe cdo natë vinte në bodrum, bënte zhurmë duke hapur dollape, duke përplasur pjata, duke kthyer gota dhe duke rënduar hapat nëpër shkallët prej druri.

Kjo fantazëm kishte këto tipare: ishte e padukshme,ishte e zhurmshme, ishte e shëndoshë dhe ishte shumë e përpiktë.

Ti marr me rradhë.

Që ishte padukshme kjo pranohej nga të gjithë sepse askush nuk e kishte parë.

Që ishte e zhurmshme edhe kjo pranohej nga të gjithë sepse të gjithë kishim dëgjuar zhvendosjet e saj nëpër shtëpi, përfshi edhe mua që nuk besoja e nuk besoj akoma te fantazmat edhe kur bëjnë zhurmë.

Që ishte e shëndoshë kjo hante gjithmonë debat, megjithëse të gjithë e pranonin që ajo nuk mund të ishte e dobët, nga pesha me të cilën shkelte mbi shkallët prej druri.

Sa i takon tiparit të fundit edhe për këtë binim të gjithë në një mendje, se fantazma ishte shumë e përpiktë. Ajo vinte gjithmonë në të njëjtën orë. Megjithëse në atë shtëpi unë kam fjetur për muaj të tërë, në orare të ndryshme,nganjëherë edhe në 12 të natës e nganjëherë edhe në 5 të mëngjesit, fantazma nuk erdhi asnjëherë para se ne të shkonim në krevat. Me një fjalë ishte një fantazëm tempiste dhe shumë korrekte e cila nuk kishte për qëllim të frikësonte bujtësit por donte vetëm të ngopej me bukë. Ajo vinte atëherë kur ishte e sigurt se të gjithë ishim shtrirë në krevatet tona dhe askush nuk do tja prishte kënaqësinë e ngrënies,sic ndodh zakonisht me të gjallët që zgjohen natën dhe shkojnë në kuzhinë, fusin kokën në frigorifer dhe kërkojnë dicka për të përtypur.

Zonja, e cila e mbante atë shtëpi dhe shumicën e kohës jetonte vetëm,pas pak kohësh ishte miqësuar me fantazmën dhe gjithmonë i linte në kuzhinë dicka për të ngrënë. Natyrisht të nesërmen, pjata e fantazmës ishte bosh dhe ushqimi që ajo konsumonte ishte një arsye më shumë që ne të hynim në një debat të gjatë, nëse ishte përlarë nga fantazma apo nga macet e shumta të asaj shtëpije.

Sa i takon shijeve ushqimore të fantazmës së Korcës, mbaj mend se ajo hante pak mish dhe ishte më e prirur nga bulmetrat, perimet dhe ëmbëlsirat, të cilat i fshinte shpejt e shpejt, madje pa i shoqëruar me asnjë pikë ujë, sic ndodh me njerëzit.

Ndoshta, manija e saj për ëmbëlsira ishte dhe arsyeja pse ajo ishte e shëndoshë.

Nuk është cudi që shumica e atyre që besojnë tek Zoti, besojnë edhe tek fantazmat megjithëse ky kombinim besimesh ka një keqkuptim.

Unë nuk besoj as tek Zoti as tek fantazmat, por sa herë dua ti ve në vështirësi ata që besojnë tek ndonjëra, u them se ai që beson tek Zoti nuk mund të besojë edhe tek fantazmat, sepse i pari nuk mund të lejojë egzistencën e të dytave.

Nëse Zoti ka krijuar gjithshka, pra ka krijuar edhe fantazmat pyetja është cfarë nevoje do kishte Zoti për fantazmat? Cfarë funksioni kryejnë ato në marrëdhëniet e Zotit me njerëzit?

Besoj se gjithë besimtarët dhe klerikët e përkushtuar do ishin dakort me mua. Zoti jo vetëm nuk është krijuesi i fantazmave por ai nuk i pranon ato. Zoti e ka ndarë botën në dy pjesë, në të gjallë dhe të vdekur dhe nuk ka pse krijon një qenije që vërtitet midis dy botëve. Fantazma duket si një krijesë të cilën Zoti ka vendosur ta marrë me vete dhe ajo nuk e dëgjon, por herë pas here kthehet në jetën që ka bërë para vdekjes.

Kjo do të thotë të mos i bindesh Zotit dhe nëse ka dicka që Zoti nuk e toleron, është mosbindja. Mosbindja e krijesave të tij është armiku i tij më i madh. Nëse njerëzit, duke marrë shembull nga fantazmat binden se mund të mos i bindesh Zotit, atëherë autoriteti i tij është dobësuar në mënyrë të pakthyeshme.

Për këtë arsye Zoti është gjuetari më i madh i fantazmave në histori. E kam para sysh sesi del natën dhe si një gjuetar bletësh mbledh fantazmat në një rrjetë të madhe dhe i con aty ku e kanë vendin : në varret e tyre. Pasi i fut aty dhe ndoshta i jep ndonjë porosi të fundit i kyc që të mos dalin më.

Kjo mund të quhet një punë e mirë e Zotit dhe qoftë edhe për kaq, njerëzit e ndjejnë nevojën e tij sepse njerëzit nuk i mbledhin dot vetë fantazmat që dalin nga varret.

Sa për mua,askush,nuk më ka shtyrë të zgjedh mes Zotit dhe fantazmave por sikur të isha i detyruar të zgjidhja sigurisht do zgjidhja Zotin pa u menduar fare.

Zoti bën një punë ndërsa fantazmat nuk bëjnë asnjë punë.

Këto mendime kisha një natë duke fotografuar në Drimadhes, kur në aparatin tim fotografik, u shfaqën dy fantazma të lumtura dhe të lagura që sapo kishin dalë nga deti dhe që ecnin dorë për dore në plazh.

Atëherë mu kujtua fantazma e Korcës e cila ishte vetmuar dhe gjithmonë kishte ftohtë dhe vendosa ti kushtoj këto rradhë.

SHKARKO APP