Benet Beci: 2025 do të jetë një vit me shumë sfida dhe përpjekje për Shkodrën

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës i është bashkuar urimeve për Vitin e Ri. Në postimin që ai ka bërë ai shton:
Të dashur banorë të Shkodrës!
Fundviti është një moment reflektimi dhe urimi për gjithsecilin. 2024 ishte një vit më i mirë për Shkodrën. Gjatë këtij viti ne si Bashki kemi punuar për të përmirësuar shërbimet dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare për të nisur një sërë projektesh transformuese për Shkodrën. Një pjesë e tyre kanë filluar, një pjesë do të fillojnë zbatimin në vitin ku po hyjmë.
2025 do të jetë një vit me shumë sfida dhe përpjekje për të ardhmen tonë, por besoj edhe me shumë suksese për Shkodrën.
Sot jam falënderues ndaj të gjithë stafit të Bashkisë Shkodër për çdo punë që kemi bërë së bashku deri tani. Dua t’ju falënderoj të gjithëve emër për emër për kontributin në shërbim të banorëve, vizionit tonë për një bashki gjithëpërfshirëse dhe Shkodrën kryeqendër të rajonit.
Nga i pari tek i fundit, që nga nënkryetarët e Bashkisë, Teutën, Onidin dhe Rudin, kabinetin, drejtoritë e përgjithshme, ndërmarrjet e shërbimeve, Policinë Bashkiake, Zjarrfikësit dhe të gjithë punonjësit e Bashkisë Shkodër.
Në këtë urim dua të shpreh një falënderim edhe për mediat, gazetarët e Shkodrës, që kanë qenë avokatët dhe pasqyruesit më të mirë të punës sonë të përbashkët në shërbim të Shkodrës.
Uroj që 2025 të jetë një vit i mbarë për të gjithë, një vit plot arritje personale dhe profesionale për gjithsecilin dhe një vit sa më i begatë për Shkodrën.
Mos harroni, pasi të gëzoni me familjet tuaja, në 12 kemi fishekzjarret dhe fillon festa te sheshi para bashkisë.
Gëzuar!

SHKARKO APP