Benet Beci status për qytetarët shkodranë: Prisni sa të marr zyrtarisht detyrën, do të mbaj premtimet!

Siç duket nga padurimi qytetar ndaj tij, Benet Beci ka sqaruar se akoma nuk e ka marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut. Një pjesë e votuesve nuk e dijnë se duhet një kohë e caktuar që një i zgjedhur të marrë detyrën. Ndaj ka mundësi që Benet Beci ka postuar një status ku thotë se duhet pritur derisa të hyjë zyrtarisht në bashkinë e Shkodrës si kryetar.
Nga Benet Beci-
Të nderuar bashkëqytetarë!
Procedurat për të marrë zyrtarisht detyrën që ju më ngarkuat po ndjekin ecurinë e duhur ligjore. Duke më zgjedhur për kryetar bashkie të qytetit tonë, më keni vënë në pozita të forta përgjegjësie, e për këtë ju jap fjalën, që do të bëj të pamundurën për të qenë në lartësinë e duhur. Teksa kam nisur detajimet e bashkëpunimet, që shumë punë të mira të nisin me të ardhur në detyrë, ju siguroj se kam qenë shumë i vëmendshëm për ato që ju keni thënë.
Kjo javë ka qenë e mbushur me biseda, mesazhe, telefonata, takime. Urimet tuaja janë të mirëpritura. Kam parë shumë statuse, shkrime, letra të hapura që më janë drejtuar. Ajo që më entuziazmon më shumë është nevoja e secilit prej jush për t’u përfshirë, për të dhënë ide, për të vënë kontakte, për të nisë bashkë rrugëtimin në një bashki të hapur ku çdokush jep më të mirën.
Ju falënderoj shumë e uroj që plot të tjerë të na bashkohen për të gjetur rrugët e bashkëpunimit, punës dhe përpjekjeve për ta bërë Shkodrën tonë një gravitet të së mirës!

SHKARKO APP