Berat Buzhala: Kazani po vlon në Shqipëri
Nga Berat Buzhala
Pas pesë vjetësh arrogancë, korrupsion, kapje të shoqërisë në secilin cep, Edi Rama po përballet me një situatë të papritur dhe të panjohur për të. Ai nuk e ka shumë të qartë se si duhet të sillet me mijëra studentë, që po protestojnë pa e pasur një lider. Rama dhe njerëzit e tij ka mundësi që po e shtrojnë një pyetje: A mund të korruptohen mijëra persona njëkohësisht, që ta shtypim protestën?
Në pesë a gjashtë vjetët e tij në pushtet, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, sa herë që e ka pasur punën pisk, qoftë me mediat, qoftë me opozitën, e ka futur dorën në xhep dhe u ka dhënë zgjidhje problemeve. Nëse nuk ka arritur ta zgjidhë një problem me lekë, e ka zgjidhur atë me më shumë lekë. Herë e ka blerë opozitën, herë e ka përçarë atë, por e rëndësishme për të ka qenë që e ka degraduar. Të njëjtën metodologji e ka përdorur edhe për televizionet. Tri a katër të mëdhatë i ka mbajtur nën kontroll, kurse me mediat e vogla është tallur.
Këto taktika, përpara tij, i ka aplikuar me plot sukses Recep Taip Erdogan, referenca kryesore politike e Ramës, ose edhe miku i tij në Beograd, Aleksandër Vuçiq. Në një formë ose në një tjetër, sipas të njëjtës logjikë po qëndron në pushtet edhe Viktor Orban në Hungari, me partinë e tij Fidesz, ose edhe pak më tutje Partia për Ligj dhe Drejtësi në Poloni.
Sigurisht që inspirim kryesor për të gjithë këta “dua-të-jemi-diktatorë” është udhëheqësi i rus Vladimir Putin. Rusia, sikur edhe Turqia, sikur edhe Hungaria, ose edhe Polonia, nominalisht janë shtete demokratike, por de fakto tashmë janë shtete njëpartiake. Çfarë është edhe më interesant, asnjë prej këtyre udhëheqësve, nuk kanë ardhur në pushtet me tanke dhe revolucione. Këta janë aty qe një dekadë e më tepër me anë të puçeve moderne, duke i kapur mediat dhe duke i përshtatur rregullat demokratike në favor të tyre. Secili prej këtyre i ka specifikat e veta. Nuk ka rregulla shabllon, por megjithatë nuk janë larg nga njëri-tjetri. Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se kryeqyteti i kësaj shkolle të re të sundimit është Moska.
Te kthehemi tash te Shqipëria, republikë kjo që tash së voni i është bashkuar karvanit të shteteve me premisa autoritare.
Shqipëria nominalisht është shtet demokratik. Ka sistem shumëpartiak, por nuk ka parti opozitare. Teorikisht ka edhe parti opozitare për aq sa dëshiron ta lejojë ta ushtrojë aktivitetin opozitar kryeministri Edi Rama. Në momentin që ai e konsideron që një subjekt opozitar po i kalon limitet e lejuara, sikur që kishte ndodhur me çadrën e Lul Bashës, Rama, i asistuar nga oligarkët, i përkrahur edhe nga kuajt e tij të Trojës brenda partive opozitare, i përkrahur edhe nga mediat e mëdha, ai vendos ta mbyllë eksperimentin demokratik të tij.
Në këtë klimë, pra në klimën kur bartësit e opozitës në çdo rast i ulin brekët përpara udhëheqësit autoritar, Shqipëria shkon në zgjedhje, rezultatin e të cilave të gjithë e dinë në mënyrë paraprake. Shqiptarët mund të votojnë për secilën parti me të cilën ka marrëveshje Edi Rama, ose oligarkët e tij, kurse pjesa që kërkon ndryshim mbetet e papërfaqësuar. Ata nuk mund ta gjejnë subjektin e tyre brenda listave zgjedhore, sepse atë nuk e lejon Rama.
Në Shqipëri ka edhe media të lira. Gazetarët, nëse kanë ku, janë të lirë të raportojnë. Si kurrë më parë ka edhe platforma për t’i shprehur opinionet gjithsecili prej nesh. Mundësia për të kritikuar pushtetin kurrë nuk ka qenë më e madhe, mirëpo në të njëjtën kohë edhe mundësia për të bërë propagandë kurrë nuk ka qenë më e madhe. Pushteti, respektivisht Rama, duke i pasur prapa vetes njerëzit më të pasur në Republikë, ka arritur t’i mbajë nën zap tri-katër televizionet kryesore në vend. Madje, edicionet qendrore të lajmeve redaktohen, editohen, nga ekipet e Ramës. Krejt çfarë u mbetet televizioneve është që t’ia huazojnë zërin e ndonjë gazetari stafit editorial të kryeministrit. Ta zëmë, muaj më parë e pamë një dëshirë për të bërë gazetari profesionale një televizion të fuqishëm në Shqipëri, Top Channel, por shumë shpejt u mbyll edhe ajo histori. Gjërat u kthyen në normalitet.
Në anën tjetër, të vetmit që po rezistojnë me vështirësi të mëdha, janë udhëheqësit e disa portaleve të vogla, që po mbahen me thërrime, e që po sulmohen e tallen në forma prej më mizoreve nga i pari i vendit. Për fatin e keq të gazetarisë shqiptare, në ndihmë të Ramës, kundër kolegëve të tyre, vazhdimisht dalin ca klounë të blerë e të korruptuar, që me paraqitjet e tyre publike e krijojnë në mënyrë të rrejshme përshtypjen e lirisë së shprehjes.
Për sistem të drejtësisë, besoj që edhe Rama pajtohet, as nuk ia vlen të flitet fare. Nuk ka drejtësi, e as nuk mund të ketë diçka të tillë, në një shtet i cili sundohet nga narkotrafikantët me të egër në Evropë. Gazetarët e pavarur në Shqipëri tregojnë se si në një ditë të bukur eskorta e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, vite më parë, ishte ndalur në rrugë nga eskorta e njërit nga banditët me në zë në Shqipëri, dhe me këtë rast kryebanditi ia kishte tërhequr vërejtjen ministrit të Brendshëm që t’i qëndronte sa më larg bizneseve të tij. Skena të tilla i kemi parë vetëm në Narcos. Nuk është kjo pika më e ulët e reputacionit të shtetit. Bandat luftojnë në qendër të Tiranës, kurse shteti dhe policia e kthejnë kokën në anën tjetër, kinse nuk panë dhe nuk dëgjuan gjë.
Pra, për dallim nga Hungaria, Polonia, Rusia dhe Turqia, ku së paku udhëheqësit e shtetit e kontrollojnë edhe botën e krimit, në Shqipëri kryeministri Rama, duket që të vetmen gjë që nuk e ka nën kontroll të plotë është nëntoka. Vetëm në nëntokën shqiptare, në botën e krimit, shteti i Ramës, ose le të themi nëntoka e Ramës, po konkurron në mënyrë të barabartë, sipas rregullave të tregut, me pjesën tjetër të nëntokës. Çfarë ironie!
Në këto kushte, dëshpërimi i shoqërisë shqiptare nuk ka se si të jetë më i madh. Ajo, për shkak të kapjes në të gjitha nivelet, përveç një pjese të nëntokës, është shoqëri që mbetet e padëgjuar. Për shkak të mënyrës se si është trajtuar dhe po trajtohet nga Edi Rama, shoqëria është aq e frikësuar sa ka edhe frikë t’i adresojë problemet. E kemi parë me dhjetëra herë se me çfarë pasioni Rama tallet me secilin fshatar, me secilin student, me secilin njeri, që guxon t’i dalë përpara me një problem. E kemi parë Edin Ramën se si e përbuz, e nënçmon secilin fshatar, secilin të dëbuar të shoqërisë, që e ka emrin Tahir, Kadri, a ndonjë emër të tillë që i takon të kaluarës.
Rama, gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur respekt vetëm për ata emra që i kanë siguruar mirëqenie dhe qeverisje. Është treguar i sjellshëm me ta, madje servil, dhe i egër me Kadriun dhe Kadritë.
Por kur dukej që shoqëria shqiptare ishte e mbështetur me shpatulla për muri, kur çdo shpresë pothuajse kishte vdekur, studentët shqiptarë vendosën ta bëjnë edhe një përpjekje, ndoshta kjo ishte e fundit përpara nënshtrimit përfundimtar. E në këtë rast, lajmi i keq për Ramën është që nuk e ka përpara vetes një individ, të cilin pa hezitim do të arrinte ta korruptonte në një mënyrë ose në një tjetër, ashtu siç ka bërë vazhdimisht. Kjo çfarë po ndodh në rrugët e Shqipërisë shkon në kundërshtim me shkollën e Ramës. Ai nuk është i përgatitur aspak që të përballet me revolta popullore, në krye të të cilave nuk është një emër i përveçëm, kurse praktikat kanë treguar që është e pamundur të korruptohen në të njëjtën kohë mijëra persona, në këtë rast mijëra fshatarë, mijëra studentë, mijëra kazanë.
gazetaexpress.com