Berisha dhe Meta solidarizohen me news24 dhe pronarin e televizionit
POSTIMI I SALI BERISHES:
Me prerjen e sinjalit të News24 Ramaduro kreu një akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë. Në traditën e babait të tij biologjik Kristaq Rama që në 10 gusht 1988 firmosi varjen publike në litar të poetit disident Havzi Nela, Ramaduro më 11 gusht 2025 rrethoi me polici dhe urdhëroi xhelatët e tij të fjalës së lirë të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri. Duke prerë në mënyrë brutale sinjalin e News24 në një akt hakmarrje primitive ndaj këtij televizioni, Edi Rama kërkon e mbrohet nga lajmi i paanshëm, debati i hapur dhe kritikat e bazuara ndaj tij dhe narkoqeverisë së tij dhe investigimet e guximshme gazetarëve të këtij televizioni të lidhjeve të tij dhe ministrave të tij me krimin dhe drogën dhe aferave të tyre korruptive.
Partia Demokratike shton se pas mbylljes së Agon Chanel dhe konfiskimit të Ora News, ky është televizioni i tretë që Edi Rama përpiqet të zhdukë vetëm e vetëm se narkodiktatori i Tiranës nuk i bleu dhe nuk i kontrolloi dot. Partia Demokratike duke shprehur solidaritetin më të plotë me gazetarët dhe të gjithë punonjësit e News24 dënon me forcën më të madhe aktin hakmarrës primitiv prej xhelati të fjalës së lirë të Ramaduros dhe kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga territori i Televizionit News24, lirimin e menjëhershëm të sinjalit të këtij televizioni.
Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë të dënojnë me forcën më të madhe aktin primitiv të Edi Ramës, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24.
Reagon nga qelia e burgut Ilir Meta:
Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.
Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.
U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar.
KOHA JONË SONDAZH

