Berisha dhe Rama po manovrojnë për ndryshimin e këtij sistemi drejtësie

Nga Daniel Muçaku-

PS dhe PD e Berishës po luajnë në përfeksion që ta ndryshojnë sistemin e sotëm të drejtësisë, sidomos SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, pasi u kanë dalë nga duart. SPAK deri tani ka marrë në hetime ish-kryeministrin Berisha dhe ish-presidentin Meta, por nuk është çudi që nesër ti turren edhe Edi Ramës. Ndërsa kryebashkiakun e Tiranës, njeriun më të fuqishëm në PS, pas kryeministrit Rama, e kanë në hetim për pasurinë.

Rama dhe Berisha manovrojnë në mënyrë fine, duke sulmuar njeri tjetrin, por pa njeri tjetrin nuk i bëjnë dot votat për ta ndryshuar Kushtetutën, ku flitet për sistemin e drejtësisë. Të dy duan ta ndryshojnë këtë sistem drejtësie, por duke patur kujdes reagimin e SHBA dhe BE.

Edhe në Kosovë e bindën ish-presidentin Hashim Thaçi se duhet gjykata speciale, se “ti nuk të prek njeri” dhe pasi e votoi e hëngri ai i pari. Sot janë në Gjykatën e Hagës të gjithë ish-drejtuesit e shtetit kosovar. Edhe në Tiranë këtë skemë po ndjekin ndërkombëtarët.

Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian këmbëngulin në nevojën e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit. Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë, komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm.

Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”.Kjo e fundit ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe në të dy rastet zgjodhi të bojkotojë votimin e tyre në parlament.

Ndërkohë Berisha deklaroi, fjalë për fjalë: “Të ftojmë Komisionin e Venecias, jo me diplomatë diletantë, jo me diplomatë me interesa korruptive, të marrim Venecian, t’i themi urdhëroni se si është shkatërruar sistemi, hajt ta rindërtojmë.

Shqiptarët duan drejtësi, shqiptarët meritojnë të drejtën për drejtësi.

Shqiptarët nuk mund të jenë kombi i drejtësisë së mohuar.

Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është mos mbuloni modelin e dështuar. Se ju emëroheni, vini dhe shkoni, kurse qytetarët e mi mbeten pa drejtësi për shkak të faqeziut Edi Rama, i marrë peng nga të gjitha anët.

Nuk them, eksperimenti juaj dështoi se u ngrit mbi korrupsionin.

A e dini ju se Vllahica ishte ambasadorja më e korruptuar që ka shkelur në këtë vend.

Hajde tani të thërrasim Komisionin e Venecias, janë juristët më të shquar të Europës, kanë eksperiencën më të mirë në Europë, të ulemi dhe t’u japim shqiptarëve drejtësinë e mohuar”– sqaron ish-kryeministri demokrat, Berisha.

Si në rezolutën e miratuar në parlament ashtu dhe në objektin e punës së Komisionit të Posaçëm, flitet për një proces të thelluar reformimi “për të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”. Komisioni do duhet të realizojë “një vlerësim dhe analizë të situatës në të tre fushat” dhe më pas të kalojë në “hartimin dhe miratimin e një Plani veprimi me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”.

Berisha ka hedhur idenë e futjes së Komisionit të Venecias në reformimin përsëri të drejtësisë, ku dihet se ata nuk janë për këtë sistem drejtësie të miratuar nën diktimin amerikan. Europa ka parime më solide për drejtësinë, ndërsa amerikanët e kanë krijuar jo vetëm për drejtësi, por së pari për të ndryshuar klasën politike 33 vjeçare.

Dhe nuk e kanë keq!

Si ideja e Berishås për Komisionin e Venecias, ashtu edhe fragmenti nga rezoluta e miratuar vetëm nga deputetët e PS ku shkruhet se “duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”, në thelb janë e njëjta gjë; futjen dorë në këtë sistem drejtësie që tashmë është në fuqi.

Dihet se kjo kërkon ndryshim kushtetute, pra 94 vota që asnjera nga partitë kryesore nuk i bën e vetme, kështu që duhet mirëkuptim dhe lëshim reciprok.

Komisioni i Posaçëm po fillon punë, sikurse edhe Komisioni i Venecias do kërkohet si kusht nga Berisha që opozita të futet në këtë komision.

Të dyja palët janë dakort se duhet të fusin duart në sistemin e drejtësisë. Një manovër do të jetë se gjoja edhe vetë SPAK kërkon ndryshin kushtetues për ripërsëritje mandate nga prokurorët.

Nën rrogoz Berisha dhe Rama kanë pika kontakti, pavarësisht se në publik shajnë njeri tjetrin.

SHKARKO APP