Bindja Demokratike dorëzon në Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e Kodit Zgjedhor
Bindja Demokratike dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton shpërndarjen e mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim flagrant me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. Kërkesa vjen menjëherë pas plotësimit të vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi dhe Presidenti Republikës, që i lejojnë asaj të jetë funksionale dhe të shqyrtojë çështje.
Në dokumentin e dorëzuar prej anëtarit të bordit të Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, argumentohet antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve, si një element që cënon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë. Tani mbetet në dorë në Gjykatës Kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë, në mënyrë që t’i paraprihet aplikimit të Kodit Elektoral, përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Me dorëzim e kësaj kërkese Bindja Demokratike përmbush një detyrim përpara vendit dhe qytetarëve shqiptarë, në funksion të objektivit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili cënohet rëndë nga neni 163 i Kodit Zgjedhor, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e Edi Ramës.