Biznesmeni kthehet nga Anglia për t’u angazhuar politikisht në atdhe: Kemi mundësi për të ndërtuar një realitet më të mirë

Ervin Mulaj emigroi në Angli në vitin 2014 dhe sot ai thotë se është i bindur që e ardhmja e familjes dhe kontributi i tij i vërtetë janë në Shqipëri. I lindur më 3 korrik 1989, Ervin Mulaj ndoqi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku u diplomua në Gjeografi (2007-2010). Pas kësaj, ai vijoi formimin e tij akademik në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, ku përfundoi studimet në Shkenca Politike (2011-2013).
Ai u përball me sfidat e tregut të punës dhe mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional. Kjo e shtyu që në vitin 2014 të marrë një vendim të rëndësishëm: të emigrojë në Mbretërinë e Bashkuar për të ndërtuar një jetë më të sigurt. Në Angli, Ervin Mulaj arriti të krijojë një jetë të stabilizuar për veten dhe familjen e tij. Ai themeloi kompaninë e shitblerjes se makinave dhe transport “Open Balkan Lines”, një biznes që u bë një pikë suksesi për të, duke i siguruar jo vetëm një bazë të fortë financiare, por edhe një lidhje të vazhdueshme me vendlindjen.
Pavarësisht suksesit në emigracion, ai thotë se nuk e humbi lidhjen me Shqipërinë. Duke qenë gjithmonë i interesuar për çështjet politike dhe zhvillimin e vendit, Mulaj është bërë pjesë e platformës “Deputeti që duam”, një nismë që synon të promovojë përfaqësim të denjë dhe angazhim aktiv qytetar në politikën shqiptare.
Pas 10 vitesh në Angli, Ervin Mulaj ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm, të rikthehet në Shqipëri me familjen e tij. Babai i tre fëmijëve e sheh të ardhmen e tyre jo më në emigracion, por në atdhe, ku synon të kontribuojë aktivisht në jetën shoqërore dhe politike të vendit. Për Mulajn, Shqipëria nuk është vetëm një vend i kujtimeve të fëmijërisë, por një mundësi për të ndërtuar një realitet më të mirë. Me përvojën e tij të fituar në emigracion, ai thotë se është i vendosur të japë kontributin e tij për zhvillimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë, duke sjellë ide të reja dhe një model të ndryshëm të angazhimit qytetar.
“Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por ka nevojë për njerëz që besojnë tek ajo dhe që janë gati të punojnë për ndryshimin”,-shprehet Mulaj, duke e konsideruar rikthimin jo si një hap pas, por si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen aty ku gjithçka filloi. Ervin Mulaj beson se historia e tij do të jetë një frymëzim për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, se emigracioni mund të jetë një fazë në jetë, por nuk duhet të jetë gjithmonë destinacioni përfundimtar. Me vendosmërinë për të sjellë ndryshim dhe për të kontribuar në vendin e tij, ai është një shembull i një gjenerate të re që nuk dorëzohet përballë sfidave dhe që beson se Shqipëria mund të bëhet një vend më i mirë për të gjithë.