Blendi Gonxhja: Kultura dhe historia jonë rrit me 60.1% numrin e vizitorëve, kryesisht të huaj
Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se numri i vizitorëve për periudhën janar – maj 2024 shënoi rritje me 60.1%, krahasuar me vitin që lamë pas.
“Kalatë dhe monumentet e kulturës presin çdo ditë e më shumë vizitorë nga i gjithë vendi dhe bota. 66,323 vizitorë për periudhën Janar – Maj 2024, rritje me 601% në krahasim me vitin që lamë pas”, u shpreh ministri.
Ndërkohë, Gonxhja bëri të ditur se autoritetet në vend kanë zgjatur edhe orarin e vizitave në të gjitha kalatë dhe monumentet e kulturës për periudhën maj-tetor 2024.
Ato do të jenë të hapura nga ora 09:00-19:00 në të gjitha ditët e javës.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër.
Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, Muzeve arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj. ATSH