Bllokohet ministria e Brendshme, Paloka: Rama s’ka parë gjë (VIDEO+FOTO)
Opozita ka nisur protestën tek Ministria e Brendshme, me thirrjet për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ndërsa pak më parë, në mbledhjen e grupit të PS-së, Edi Rama tha se Fatmir Xhafaj nuk ka përgjegjësi morale dhe ligjore ndaj akuza të PD-së, në lidhje me vëllain e tij, i cili përmes një letre publike bëri me dije se ndodhet në Itali, aty ku do ti dorëzohet autoriteteve italiane.
Protesta është konceptuar si simbolike dhe pa fjalime politike, por Edi Paloka i pyetur nga gazetarët tha se Edi Rama do të pendohet për deklaratat e sotme, kur tha se materiali i PD për Agron Xhafën është një manipulim.
”Ministrat janë të lidhur me krimin, si Tahiri dhe Xhafaj. E dëgjuat prapë me akuzat për median dhe opozita, jo ata që kryen krimet, por ata që i zbulojnë krimet. U kthye prapë te historia me agjentë rusë. Kapet Tahiri, apo Xhafaj, ai thotë do të përgjigjet opozita, por në fund do të përgjigjet ai. Është shprehja ku nuk parë asgjë, ai do të pendohet për dekalratat që bëri sot. Protesta e sotme është vetëm një hap. Kjo histori sapo ka filluar, Rama nuk ka parë gjë akoma”,-tha Paloka.
Aksioni politik
Nuk do të ketë jetë normale parlamentare nëse nuk dorëhiqet, apo shkarkohet ministri aktual i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Dhe në zbatim të këtij vendimi, Partia Demokratike e çoi çështjen e Agron Xhafajt fillimisht paraditen e djeshme në Komisionin e Medias dhe atë të Ekonomisë, duke paralizuar veprimtarinë e këtyre komisioneve dhe duke paralajmëruar një seancë të ashpër dhe të tensionuar plenare këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërsa sot, ku pasi u ndoq e njëjta strategji edhe në punimet e sotme të komisioneve, por edhe pas mbrojtjes që i bëri kryeministri Edi Rama ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Partia Demokratike ka vijuar me zbatimin e strategjisë së saj, atë të protestës tek Ministria e Brendshme, ku do të synohet moslejimi i futjes në zyrë të Fatmir Xhafajt.
Nëse kjo nuk ndodh, nesër opozita do të përshkallëzojë protestën, duke bllokuar punimet e Kuvendit, demokratët janë të gatshëm të mos e lejojnë zhvillimin e një seance normale.
Që nga dita kur publikuan dosjen e plotë të dënimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, i cili rezultonte i dënuar si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, demokratët kërkuan që ai të dorëhiqet. Ndërsa vetë ministri reagoi dhe u distancua nga veprimet e vëllait, PD publikoi të tjera prova të forta, një audiopërgjim të vëllait të ministrit me një trafikant. PD deklaroi se biseda e përgjuar ishte bërë në kohën kur Xhafaj ishte ministër, duke shtuar se Agron Xhafaj bënte trafik droge nën hundën e vëllait ministër.




KOHA JONË SONDAZH

