Boçi: Në mes të Europës, Rama po ndërton regjimin polici-krim, PD luftë deri në fund

Intervistë për “Koha Jonë” ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: 30 qershori nuk ka prodhuar kryebashkiakë të rinj. Procesi është nul

Intervistoi: Redjon Shtylla

Si është qeveria “Rama 2”? “Në mes të Europës, është duke ndërtuar regjimin e tij, me një aparat perfid dhune që mikson më së miri binomin e bërë tashmë një, polici-krim”. Kështu shprehet në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi. Ai thotë se Rama ka marrë të gjitha pushtetet por që nuk ka kryesorin. “Sovrani e ka refuzuar në 85% të masës Ramën dhe ka dalë shesheve e rrugëve dhe kërkon bashkë me opozitën politike largimin e tij”. Ndaj dhe dialog me Ramën për zgjidhjen e krizës, PD-ja nuk sheh. “Me organizatat kriminale si kjo që drejton kryeministri, pavarësisht veladonit politik, nuk mund të negociohet”. Opozita është shprehur se kryebashkiakët e djathtë nuk do ti lirojnë zyrat por a mund të çojë kjo situatë në një konflikt civil? Për ish-deputetin Boçi, frika e konfliktit civil nuk qëndron, “sepse të mbrosh kushtetutën e republikën nuk është konflikt civil por përplasje qytetare me regjimin”.

Sa do të presë opozita? Maxhoranca ka thënë se nuk pranon kushtet për qeverinë tranzitore, largimin e Ramës dhe siç Basha ka thënë për ngritjen e një qeverie që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sa do të vazhdohet kështu, pa dialog mes palëve? Si do të zgjidhet kriza?

Ne nuk jemi aspak duke pritur dhe betejën tonë nuk e kemi dorëzuar asesi. Intensifikimi i saj është i dukshëm dhe po ecën në shumë plane. Mbështetja e qytetarëve është absolute, sikurse refuzimi që ata i bënë Ramës më 30 qershor është thirrës. Betejë nuk janë vetëm protestat. Ato do të vazhdojnë. Betejë është dhe ngjallja e besimit, shpalosja e ideve, e vizioneve, organizimi kapilar dhe njëkohësisht intensifikimi i kontakteve ndërkombëtare. Kauza jonë është kauzë e të gjithë shqiptarëve, përfshi të majtë e të djathtë, me parti e pa parti. Ne duam t’i japim shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur të lirë në një proces të ndershëm e të vërtetë, të pa diktuar nga krimi i organizuar, të pa diktuar nga policia politike apo administrata e korruptuar dhe të pa ndikuar nga tundimi i parave që blejnë gjithçka.

Ne nuk ndalemi. Largimi i Ramës nuk është hapje rruge për pushtet por është çlirim i vendit nga kapja e një organizate kriminale që ka marrë peng demokracinë, të ardhmen dhe fatet e vendit. Me Ramën si serial killer i zgjedhjeve të lira, si hajdut ordiner votash dhe si kryeministri më i korruptuar i Europës, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare përfshirë dhe DASH, nuk mund të ketë dialog. Dialogu nis kur ai të largohet nga karrigia e uzurpuar me 1000 marifete e 1000 krime. Me organizatat kriminale si kjo që drejton kryeministri, pavarësisht veladonit politik, nuk mund të negociohet. Me to vetëm luftohet deri në fund për t’i ofruar vendit një zgjidhje definitive, e cila për shkak të dinamikës politike nuk ka për të vonuar.

Rama ka qeverinë, parlamentin, prokurorinë, gjykatat, pushtetin lokal, KQZ, ka krijuar “opozitën e re”. Presidentin kërkon që ta shkarkojë. Në të gjithë këtë situatë, a nuk ka fuqi të mjaftueshme opozita për ta rrëzuar Ramën? A po gabon opozita me lëvizjet e saja?

Rama mund të kërkojë dhe hënën nesër dhe vërtet ato të sipërpërmendurat i ka. I ka pushtuar pothuaj të gjitha. Diku me intrigë e diku me forcë. Hapur në mes të Europës, është duke ndërtuar regjimin e tij, me një aparat perfid dhune që mikson më së miri binomin e bërë tashmë një, polici-krim e po ndërton bazat e një ekonomie të korruptuar e kriminalizuar që e kanë bazën tek grabitja e votës. Do të marrë dhe Presidencën. Megjithatë çfarëdo që të bëjë, sado që të përpiqet me mënyrat e tij kriminale apo jo, ai sot nuk ka atë që është thembra e Akilit në një pushtet.

Sot nuk ka sovranin. Sovrani e ka refuzuar në 85% të masës Ramën dhe ka dalë shesheve e rrugëve dhe kërkon bashkë me opozitën politike largimin e tij. Regjimet si ky i Ramës i zë pesha e vetvetes në një theqafje të pashmangshme që nxiten drejt rrëzimit nga protesta dhe revolta qytetare. Fuqia e opozitës është fuqi anteiste dhe e ka burimin tek mbështetja qytetare si Anteu me tokën. Kjo fuqi është e papërballueshme dhe sfidon çdo pikë tjetër force qoftë ajo kriminale, ekonomike apo policore. Përpos kësaj çdo veprim i opozitës ka një frymëzim kushtetues dhe demokratik në mbrojtje të vlerave e parimeve më thelbësore të demokracisë.

Opozita është shumë e qartë në rrugën e saj me një destinacion të përcaktuar e definuar më së miri. Ka kombinuar revoltën si shprehje e domosdoshmërisë së largimit të kësaj kaste kriminale e të korruptuar, me shpalosjen e alternativës për të çliruar vendin nga krimi e korrupsioni dhe për ti dhënë të ardhmen e merituar e të kërkuar evropiane. Opozita nuk është duke gabuar por është duke ndërtuar. Duke ndërtuar nëpërmjet betejave dhe nëpërmjet ofertës politike për ti dhënë vendit një të ardhme të përbashkët politike të mbështetur në vlera dhe norma.

A duhet të ketë një reflektim më të madh nga Basha duke marrë parasysh edhe zërat që bëjnë thirrje për dialog, thirrje që janë të pandalshme edhe nga ndërkombëtarët? Qëndrimet e të huajve tregojnë një sjellje që shkon në mbështetje të qeverisë.

Ne nuk jemi e as nuk kemi qenë kundër dialogut. Përkundrazi pikërisht ne kërkojmë dialog me pjesën më të ndershme të mazhorancës për të gjetur një zgjidhje të përbashkët dhe afatgjatë për fatet e vendit. Për ti dhënë shqiptarëve proces zgjedhor të vërtetë e plotësisht demokratik. Të bësh dialog me hajdutët e kriminelët e votave, me ata që kriminalizuan e rropën gjithçka, vendi të cilëve duhet të ishte qelia dhe jo tavolina, është akt tradhtie ndaj republikës, kushtetutës e interesave të qytetarit e vendit. Ne nuk presim që ndërkombëtarët të flasin me gjuhën e opozitës.  E megjithatë të gjitha raportet e tyre gati sa nuk ulërasin për gjendjen e kriminalitetit e korrupsionit e për domosdoshmërinë e largimit të Ramës. Ftesat për dialog janë brenda politesës institucionale dhe nuk besoj se duhet që gjithçka të vijë si zgjidhje apo si frenim nga kjo gjuhë me paradigmë të kushtëzuar.

Opozita thotë se kryebashkiakët e djathtë nuk do lirojnë zyrat por deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me mbarimin e afatit të qëndrimit të detyrë, nuk përbën shkelje? A mund të agravojë qëndrimi me revoltë civile, pasi kandidatët që fituan më 30 qershor do kërkojnë vënien në zbatim të mandatit?

Këtë nuk e thotë opozita. Këtë e kërkon Kushtetuta dhe ligji. Kryebashkiakët janë të zgjedhurit nga qytetarët. Si përfaqësues të tyre ata janë funksion të detyrës së ngarkuar. Ky funksion i detyron ata të respektojnë kushtetutën, e cila i drejton të njohin dekretin e Presidentit si kreun e shtetit dhe jo urdhrat politikë të dalë nga një organ administrativ i kapur politikisht siç është KQZ. 30 qershori nuk ka prodhuar kryebashkiakë të rinj. Procesi është nul. Një farsë elektorale e neveritshme. Ishte një zgjedhje brenda një partie, sipas parimit “vetë votojmë, vetë numërojmë, vetë shtojmë vota, vetë bëjmë tabela rezultatesh si ti duam, vetë vendosim, vetë vulosim”. E kjo farsë nuk mund të njihet. Qytetarët e refuzuan këtë proces me të majtë e të djathtë në 85%. Vetë OSBE-ODHIR ka nxjerrë në pah rolin antikushtetues të KQZ dhe ka njohur fuqinë e dekretit të Metës, si dhe pamundësinë e alternativës për shqiptarët. Frika e konfliktit civil nuk qëndron, sepse të mbrosh kushtetutën e republikën nuk është konflikt civil por përplasje qytetare me regjimin.

Pas rinumërimit të 11 kutive në Lezhë për votimet një partiake të 30 qershorit, PS-ja se deklaratat e PD-së për manipulim votash nuk qëndrojnë. Si e komentoni dhe cilët janë argumentet tuaja që kutitë u mbushën?

Nuk ka nevojë për shumë komente. Kjo e Lezhës ishte një ndër aktet e komedisë së numërimit të votave të vjedhura. Për të qenë të qartë se çka ndodhur me këtë tragjikomedi mjafton ti referohesh deklaratës së kreut të KQZ-së i cili tha qartë, shkurt, saktë atë që PD-ja e ka dëshmuar, faktet e kanë treguar që numri i fletëve të votimit në kuti është shumë i madhe se numri i votuesve të shënuar në procesverbalet e votimit. Pra dhe vetëm tundimi i vjedhjes i çoi domosdo në mbushjen fiktive të kutive. Për të rritur me zor pjesëmarrjen por dhe për të kryer aktin instiktiv të grabitjes pa të cilin këta nuk flenë rehat. Lezha megjithëse u trukua si ankimim provoi po të njëjtën gjë: këta kanë vjedhur vetveten në mënyrë galopante. Për të qeshur e për të qarë njëkohësisht.

Nga ana tjetër, KQZ është shprehur se nuk ka bazë ligjore për kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, çka e vendosi edhe me mos pranimin e kërkesës suaj. A ka bazë ligjore kjo kërkesë, pasi PD-ja nuk morri pjesë në zgjedhjet lokale, si me kandidatë por edhe me komisionerë?

Fshehja e krimit elektoral nga KQZ-ja nuk është gjë e re. Tashmë dihet se ajo nuk është KQZ-ja por një segment politik i organizatës kriminalo-politike të Rilindjes. Është qesharake që po e njëjta KQZ  e cila i jep tagër vetvetes të gjykojë dekretin presidencial, ndërkohë nuk gjen dot bazën ligjore, e lidhur me funksionin e saj specifik për të plotësuar një detyrim të cilin e ka të përcaktuar në kodin zgjedhor por dhe në kushtetutë, për të bërë transparencën e procesit të numërimit. Kërkesa e PD pavarësisht nëse ishte subjekt apo jo duhej përmbushur në funksion të detyrimit që ka vetë KQZ-ja në raport me një proces votimi cilido qoftë ai.

Si e komentoni që në pak ditë, ka një bum aplikimesh nga maturantët për të vijuar studimet e larta në vendet e BE-së. A është kjo “arratisje” përmes diplomës një lloj emigracioni i ri?

Është një fenomen në rritje progresive. Në 2013 numri i tyre që kërkonin të largoheshin për studime ishte rreth 6000, ndërsa në 2018 arriti në 11.000. Sivjet ka një rritje akoma më të madhe për shkak të rënies së besimit të të rinjve tek vlera e diplomës shqiptare dhe mungesa e së ardhmes në Shqipëri. Është një lloj eksodi akademik që ka pushtuar si dëshirë dhe si zgjidhje pothuaj shumicën dërmuese të maturantëve të cilët nuk mendojnë më as të kthehen në Shqipëri, duke u larguar nga sytë këmbët, çfarëdo lloj fati të ketë ecuria e tyre e shkollimit në vendet e BE. Duhet parë dhe si një lloj revolte e heshtur ndaj zhgënjimit absolut që të rinjtë kanë ndaj kësaj qeverisje. Një vazhdim i protestave studentore të dhjetorit por tashmë në një dinamikë arratisje nga vendi që qeveriset nga vetë çmenduria totale.

SHKARKO APP