Boçi zbulon aksionin e PD dhe krizën në Arsim: Kurrë qeverisje PD-PS

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi: Drejtësia e yshtur drejt një kaosi institucional

Intervistoi: Redjon Shtylla.

“”Koha” është pjekur”, shprehet deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i pyetur nëse në shtator do të ketë rinisje të protestave. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi thotë se duhet ti jepet fund lojës së çmendur të komplekseve dhe paranojave politike të Ramës. Me ironi, ai thotë se “Ramës ka kohë që partnerët po i këndojnë atë këngën “Tope, tope o papagalos””. Procesi i Vetting-ut për gjyqtarët dhe prokurorët, sipas maxhorancës po sulmohet nga PD-ja dhe për këtë deputeti demokrat, thotë se “ky proces nuk po produkton drejtësisë e sistemit të drejtësisë por zhdrejtësinë politike të sistemit të drejtësisë. Kaosi institucional, pa gjykatë kushtetuese, të lartë, së afërmi pa apel dhe nën një presion politik maksimal”. Për deklaratën e Ramës, “se nuk është çudi të përsëritet marrëveshja e 17 majit”, Boçi hedh poshtë çdo aludimin për një qeverisje politike PD-PS, “përpos një qeverie antimafia”.

z.Boçi, keni qenë tepër i ashpër me reformën në Arsimin e Lartë dhe denoncimet nga ana juaj nuk kanë munguar. Si e lexoni raportin se 134 mijë nxënës dhe studentë më pak se katër vite më parë janë regjistruar në shkolla apo universitete këtë vit akademik?

Mbetem ende një kritizer i ndërhyrjeve arbitrare që u bënë në sistemin e Arsimit të Lartë, të cilat kulmuan me ligjin e ri të AL. Sikurse jam i tillë dhe për një pjesë të mirë të ndërhyrjeve kaotike në sistemin e ligjin e Arsimit Parauniversitar. Mendoj se këtu nuk është e drejtë të përdoret termi reformë. Një reformë ndjek qëllime të qarta që kalojnë në rrugë të mirëpërcaktuara dhe që realisht ndikojnë e rrisin stadin e zhvillimit të një fushe. Ndërkohë ndërhyrjet arbitrare që u bënë në Arsimin e Lartë dhe në tërë sistemin arsimor nuk kanë aromë reforme, përpos se janë lëvizje kaotike që nuk marrin në konsideratë problematikat reale që sistemi ynë arsimor ka realisht, por interesat e shumëfishta të momentit. Ato u provuan se ishin të pastudiuara, të nxituara dhe me pasoja negative, thjeshtë me qëllime miope politike. Vetë ligji i Arsimit të Lartë ishte një artificë që ju imponua me forcë ambjentit universitar, duke shkëputur atë rrjedhën e vazhdës e ngritjes tradicionale normale të tij. Vetë fakti i përmendur nga ju i një numri gjithnjë në rritje të nxënësve e të studentëve që i ikin larg sistemit tonë arsimor, “si djalli prej temjanit”, i dëshmon efektet negative të këtyre ndërhyrjeve. Besueshmëria e familjeve shqiptare, tek sistemi ynë arsimor është në pikiatë e aq më keq besueshmëria në cilësinë e diplomës dhe të aftësisë së saj për të gjetur vend në tregun ndërkombëtar dhe atë kombëtar të punës. Eksodi akademik është një fenomen i viteve të fundit. Të rinjtë braktisin Shqipërinë për arsye ekonomike e arsimore komplekse. Sigurisht nuk mund të shmanget fenomeni social i uljes së lindshmërisë në Shqipëri por intensiteti dhe përmasat e evidentuara, tregojnë që rolin kryesor në uljen e numrit të nxënësve dhe të studentëve që ndjekin arsimin në Shqipëri, vijnë për shkak të boshatisjes së vazhdueshme të vendit. Refuzimi ndaj sistemit aktual arsimor, është evident dhe kambanat tashmë kanë rënë. Ligji i ri i Arsimit të Lartë është aq pak kompatibël me sistemin, sa ende dhe sot termat e tij janë ende të papërputhshëm dhe të paaplikueshëm nga IAL publike e jopublike. Ai nuk arriti të ndërtojë tregun e dijes dhe vendosjen e konkurrencës së drejtë midis IAL-ve publike e jopublike. Stopoi zhvillim e natyrshëm të Universiteteve publike, mumifikoi kërkimin shkencor në to dhe instaloi parimet e inferioriteit të këtij aseti të çmuar. Rrëzoi figurën e pedagogut dhe zhvlerësoi totalisht studentin, duke e shndërruar në një subjekt financiar dhe jo subjekt dije. Ndërkohë katrahura në parauniversitar, me dinjitetin moral e financiar të shkelur të mësuesit dhe të institucionit të shkollës sonë, është ulëritëse. Pa investime serioze dhe pa një kujdes profesional, arsimi ynë ecën sot qorrazi në një rrugë inercike, të mbushur me fjalë me ndërhyrje ligjore pa kuptim, më zhurmë e tam-tame koti dhe pa asnjë përkujdesje serioze buxhetimi.

Qeveria ka një përqasje dhe nxitje për formim profesional, edhe pse të rinjtë dëshirojnë Shkollën e Lartë. Është çështje mendësie apo politikat e duhura në këtë drejtim?

Një qeverisje nuk është një dhomë dëshirash. Ajo duhet të ketë qëllime e synime për të cilat ndërton politika konkrete efikase dhe të suksesshme. Kjo nuk ka ndodhur as me arsimin profesional e as me sektorë të tjerë të jetës ekonomike e sociale. Arsimi profesional, pavarësisht deklaratave për qasje të re apo nxitje, është degdisur në një zyrë të humbur të një ministrie që nuk ka lidhje organike me këtë arsim dhe që do ishte rastësi e bukur t’i shkonte mendja nëse ai ekziston aty. Faktet e dëshmojnë. Nuk ka numër të rritur, nuk ka interes, nuk ka financim, nuk ka politika. Po, ka një ligj të ri jofunksional, madje ende të pakorrektuar në terma, me degdisjen e fundit që i ka ndodhur atij, në ministrin e Ekonomisë e të Financave. Për hir së vërtetës, ndjeshmëria ndaj këtij arsimi, i konfirmuar si çelës zgjidhje e suksesi ekonomik për shumë të rinj dhe në vendet më të zhvilluara, u iniciua në kohën e qeverisjes së PD. Ishte vetë z,Tafaj i cili me formimin e tij gjermanik e projeksionoi atë si një fushë ku suksesi ishte i garantuar. Por fatkeqësisht ajo punë e mirë e nisur, u dëmtua, u harrua dhe sot për të flitet sporadikisht, si për diçka që duhet folur sepse ende shkakton tek publiku një lloj ndjesie “të magjisë ekonomike”. Pra përdoret vetëm për propagandë sepse kujdesi, financimi, zhvillimi i tij janë zero. Mjafton një fakt: në paraqitjen e programit qeverisës në 2017 nga Rama nuk gjendet askund togëfjalëshi Arsim profesional. E gjitha kjo nuk është cështje mendësie. Varet sesi ja servir nxënësve këtë arsim. Nëqoftëse vazhdohet ende të veprohet si deri më tani, duke e paraqitur atë si arsimim inferior, sigurisht nuk mund të ketë atraksion apo interes. Është absurde dhe idiote njëkohësisht, të dëgjosh kryeministrin që i ndan nxënësit që mund të ndjekin arsimin e lartë profesional me terma diskriminues: Ato që janë nën 6 mund të shkojnë vetëm atje. Domethënë vazhdimin e tij qeveria e konsideron një lloj penaliteti dhe një rrugë shumë më inferiore. Kjo praktikë duhet të marrë fund menjëherë. Të rinjtë kanë nevojë për arsimin profesional, sikurse ka domosdoshmëri për të ekonomia e zhvillimi i vendit. Por ky arsim ka nevojë për politika efikase konkrete e financim specifik.

Si e keni lexuar raportin e DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri? Rama e quan PD si “selia e përkthimeve të gabuara” por si është realiteti në vend?

Raporti e përcakton Shqipërinë si vend me klimë të papërshtatshme, madje kërcënuese ndaj biznesit amerikan e më gjërë. Kjo për shkak të korrupsionit endemik, arbitraritetit qeverisës, pasigurisë gjithëpërfshirëse e rrugës që po ndiqet për kapjen politike të drejtësisë. Ramës ka kohë që partnerët po i këndojnë atë këngën “Tope, tope o papagalos”. Ramës edhe papagalli me të cilin bënte fotot e dikurshme, ja kanë thënë haptazi e shkoqur që krimi këtu bën ligjin, që korrupsioni po bën kërrdinë, që droga është sheshit, që investitorët nuk vijnë e ato që janë po ikin. Po Rama nuk ka veshë të dëgjojë e sy të shikojë. Jo se nuk di por nuk do.

 z.Boçi cili është komenti juaj mbi procesin e Vetting-ut, kur nga opozita nuk kanë munguar akuzat për standarde të dyfishta të KPK-së dhe vendimmarrje të mbështetura politikisht? Pse po sulmohet procesi?

Vetting-u ka kohë që i ka rënë ajo lustra e magjisë së bukur, e kënduar si përrallë dikur dhe është zbuluar tashmë si një mekanizëm i përcudnuar që po përdoret për të pushtuar politikisht drejtësinë e brishtë shqiptare. Faktet nominale të kalimit të tij, apo moskalimit e dëshmojnë një gjë të tillë. Paraqitja e fakteve është transparencë dhe zbulim i së vërtetës. Nëqoftëse e vërteta konsiderohet sulm, pastaj ky është mjerim politik i mazhorancës, e cila po kërkon kështu të fshihet pas rolit të viktimës, për të mbuluar realisht rolin e saj prej xhelati të drejtësisë. Qartazi KPK po merr vendime nën diktat e orientim politik dhe standarti juridik, apo ai moral nuk funksionojnë më. Kanë rënë përfundimisht, sepse etaloni vlerësues lëviz sipas afinitetit politik të kandidatëve dhe jo sipas parimeve të sanksionuara brenda paragrafëve të reformës në drejtësi. Kësisoj, jemi para një Vetting-u që nuk po produkton drejtësisë e sistemit të drejtësisë por zhdrejtësinë politike të sistemit të drejtësisë. Fatkeqësisht ky është vetëm fillimi i dramës së drejtësisë sonë e yshtur qëllimisht drejt një kaosi institucional, pa gjykatë kushtetuese, të lartë, së afërmi pa apel dhe nën një presion politik maksimal.

Opozita akuzon se ndërkombëtarë janë bërë patericë e qeverisë. Nga vjen kjo mbështetje e të huajve ndaj qeverisë “Rama 2” dhe si e parashikon opozita pozicionin e saj në këtë pikë?

Opinioni se ndërkombëtarë të caktuar kanë ofruar mbështetje për Ramën, nuk është as i panjohur për publikun, as për politikën tek ne e as për ambjentin diplomatik. Heshtja në shumë raste për aferat kriminale, korruptive dhe trafikuese të qeverisë dhe mbyllja e syve, apo e njërit sy, për implikimet direkte të kabinetit, apo vetë Ramës në këto afera, nga njëra anë si dhe “ngritja në qiell”, për gjëra që janë bërë shkel e shko ose me qëllim keq, nuk hyjnë tanimë në rendin e sekreteve por të fakteve të ditura botërisht nga të gjithë. Ka qenë një suport, pse jo në masë të madhe për Shqipërinë dhe rrugëtimin e saj, që fatkeqësisht është kanalizuar qëllimisht nga Rama si personal dhe është madje keqpërdorur, pa përjashtuar lobime të afërta e të paguara nga vetë ai. Gjëra të tilla janë dëshmuar. Në të gjitha rrethanat mbështetjet institucionale për vendin, ne nuk i kemi ngatërruar asnjëherë me dëshirat e Ramës për t‘i interpretuar si mbështetje për të, gjë që është larg parimeve të diplomacisë europiane e më gjërë. Mos harrojmë që nga ana tjetër, Rama është investuar jashtëzakonisht shumë, jo pa efekte, për ta paraqitur opozitën si penguese apo si mëkatare. Në këtë pikë parimi ynë është i qartë: E vërteta shëron çdo sëmundje. Paraqitja e saj lakuriqe, para ndërkombëtarëve e problematikës reale që mbyt sot vendin, do të krijojë dhe skanimin e vërtetë të asaj se çka përfaqëson molla e krimbur e kësaj qeverisje dhe e këtij kryeministri. E thashë, kënga ka nisur dhe kënga e ka një fund, pavarësisht refrenit që përsëritet.

Në konkluzionet e Këshillit Europian më 26 qershor, nënvizohet se dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm me opozitën është vendimtar për të ardhmen e reformave europiane. Lidhur dhe me deklaratën e z.Rama se “nuk është çudi që mund të përsëritet 17 maji”, pra qeveri me PD. Duhet qeveri PD-PS?

Në konkluzionet e Këshillit ajo që është nënvizuar dhe e shkruar me bold, e zeza në të bardhë, është se vendimtare për të ardhmen e reformave europiane është lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve e pastrimit të parave të pista, gjë që kjo qeveri për shkak të lidhjeve genetike dhe situatave me krimin, nuk mund t‘i realizojë dot. 17 Maji ishte një marrëveshje për të çuar vendin në zgjedhje dhe keqinterpretimi e keqpërdorimi i tij duket se ende vazhdon. Nuk mund të ketë kurrsesi një qeverisje politike PD-PS, përpos një qeverie antimafia apo teknike, quajeni si të doni.

A është problemi kryesor me kumarit evazioni fiskal, qarkullimi i parave të pista dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në interesat e kësaj industrie? Janë bizneset e kumarit ato që kontrollojnë qeverinë dhe parlamentin dhe çfarë është bërë që ligjin që qëndron prej 2016 në kuvend?

Industria e kumarit ishte industria e parë që Rama e enturazhi i tij përvetësuan sapo shkelën në portat e pushtetit. “Fund marrëzisë”, provoi të ishte “Fillimi i çmendurisë” më të re dhe më të pa turp të parë ndonjëherë. Ai shënoi fillimin e pasurimit galopant të njerëzve të pushtetit, duke stimuluar pafundësisht këtë industri e njëkohësisht duke e nxjerrë atë tërësisht nga qerthulli i kontrollit financiar fiskal. Kjo për dy arsye. Një për të rritur fitimet e për të nginjur orekset e sapoplasura. Dy për ta pasur atë plasdarmën kryesore, bashkë me ndërtimin, për pastrimin e parave të pista të projektuara që do prodhoheshin nga plani i kanabizimit të vendit dhe shndërrimit të tij në stacionin themelor të tranzitit të drogave të tjera. Aktorët kryesorë që luajnë sot këtë lojë, në të gjitha format që ajo përshfaqet e është pasuruar, janë njerëz familjarë të vetë kryeministrit, ose shumë të ngushtë të tij, me të cilin e lidhin afera historike e të tanishme. Janë këta aktorë, me këtë Kryeministër kapo të tyre dhe këto interesa miliardëshe që mbajnë sot në sirtarë një ligj i cili po zverdhet bashkë me zymtësinë e Gramozit.

Ligji për Magjistrantët kërkon mbështetjen e opozitës por nëse PD s’e jep konsensusin, si do të mund të vendoset në shina e të avancojë Reforma në Drejtësi? Ju si e parashikoni ecurinë e Reformës?

Ligji për Shkollën e Magjistraturës nuk bën pjesë në korpusin e ligjeve themelore të parashikuara në Reformën për Drejtësi. Madje me mënyrën se si ai kërkon të imponohet, kërkon të anashkalojë dhe të shkelë rolin dhe funksionin e institucione të parashikuara në kushtetutë, të KLP e KLGJ, duke kërkuar të kthejë në veprim e t’i japë kompetenca atyre institucioneve që janë anatemuar po nga këta propozues, si të kalbura apo të vdekuara, siç është KLD-ja. Madje kërkon t’i atashojë Prokurores së Përkohshme kompetenca që reforma dhe kushtetuta ja refuzojnë plotësisht. Pra në vend të vejë vetulla, ai kërkon t’i nxjerrë sytë drejtësisë, frymën e së cilës po ja marrin me Vetting-un. Kësisoj, ky ligj nuk e fut në shina por kërkon ta nxjerrë në rrugë të madhe reformën, e cila dhe sot kështu siç po bëhet është në një rrugë pa krye, për “t’u qarë me llahinga”. Ne po kërkojmë me veprimin tonë, kthimin e reformës në normalitet konsensual e binarë kushtetues që buruan nga vota e 22 korrikut. Kërkojmë kthimin e tij në shina insitucionalë të parashikuar sipas këtij konsensusi dhe dorëzimin e reformës insitucioneve legjitime dhe jo politikës e cila po e vret atë çdo ditë që kalon. Kjo është rruga e vetme për të pasur drejtësi në një reformë e cila po devijon drejtësinë drejt humbëtirës së mashtrimit e kontrollit politik.

Çfarë do ndodh në shtator? Do përgatitet PD-ja për protesta, apo aksioni opozitar do të përqëndrohet vetëm në kuvend?

Të gjitha opsionet e aksionit opozitar janë të hapura në tavolinë në shtator. Nuk ka vend për kuriozitet e ekuivok. Rama duhet ndalur në arbitrariten e tij, grabitjet e tij, kriminalizim, mjerimin galopant që ka mbjellë, në lojën e çmendur të komplekseve dhe paranojave të tij politike e personale. “Koha” është pjekur…

SHKARKO APP