“Bomba” e Mediut: Rama nuk do BE-në, por aleanca të errëta, aksioni i PD dhe ringritja

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Ne nuk kemi Republikë Kushtetuese, por Republikën e tepsisë me pronar dhe timonier Edi Ramën

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu hedh akuza të fortë në drejtim të kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit të vendit. Ai thotë se Kryeministri nuk do integrimin e vendit në BE, por aleanca të errëta që bien ndesh me interesat strategjikë të Shqipërisë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, flet për ringritjen e PD dhe rolin e saj në një opozitë me jo vetëm PD. “Me faktorët e tjerë opozitarë duhet bashkëpunuar në shërbim të mbarëvajtjes së jetës parlamentare dhe interesave të vendit, por duke ruajtur qartësisht dallimet politike”. E për rrugën e PD-së, për Mediun është ajo e bashkëpunimit. “Ka vetëm një rrugë përfshirje dhe bashkëpunim të të gjithë faktorëve për të ringritur të djathtën. Nuk e ka komoditetin e përçarjes apo përjashtimit as PD-ja, e as e djathta”.

 Pas takimit me z.Basha, ju u shprehët se aksioni opozitar duhet të ketë një qëllim të caktuar. PD të shtunën nis aksionin e parë, atë që është cilësuar si kundër simboleve të diktaturës. A është kjo lëvizje e parë që duhet të ndërmerrte PD, duke qenë se një nismë e tillë kundër z.Ruçi dhe z. Xhafaj duket si shumë e vonuar në kohë, pasi mund të bëheshin para 20 viteve. A është kjo një tregues se PD-ja është në krizën e kauzave?

Nuk ka akoma një vendim të grupit parlamentar të opozitës për çështje të tilla. Komunizmi në Shqipëri nuk është në simbole, por me praktikat dhe qeverisjen e vendit. Në Shqipëri zot është qeveria dhe Rama, interesat e tyre korruptive dhe jo qytetarët dhe të drejtat e tyre. Do këshilloja këdo që merret me politikë të shohë se si Partitë Komuniste të para viteve 1990, janë transformuar në parti që udhëhiqen nga ideologjia e komunistit italian Antonio Gramshi dhe praktikat e Hugo Chavez, që krijoi 16 mijë këshilla politike popullore që ishin zëri i popullit, si dhe një milici të armatosur jo ligjore. A nuk po bën Rama të njëjtën gjë. Me pak fjalë, kontrolli i shoqërisë nga qeveria dhe segmente të shoqërisë civile të blera dhe kontrolluara nga qeveria, populizëm që injoron kushtetutën dhe ligjet dhe i referohet dëgjesave popullore ( në këtë rast popull është ai që pëlqen qeveria), kjo shoqërohet me struktura paralele kriminale dhe të armatosura të lidhura me qeverinë, që të cilat blejnë dhe manipulojnë zgjedhjet, dhunojnë dhe eleminiojnë kundërshtarët politik dhe ekonomik. Rama është mishërim i kësaj sjellje dhe mendësie politike. Nisur nga sa thashë më sipër, e djathta ka nevojë të identifikojë politikisht vetveten me çfarë përfaqëson jo vetëm të flas për liritë, të drejtat e individit por të frymëzojë dhe mundësojë që drejtimi i shoqërisë shqiptare të dominohet nga interesi dhe të drejtat e qytetarëve. Opozita parlamentare ka një detyrë parësore në këtë drejtim. Nuk mendoj se Rama ndryshon apo është më pak problem se çdo emër në Parlament apo qeveri, përkundrazi.

Opozita e re, nuk përbëhet vetëm nga partitë e spektrit të djathtë, por pjesë e saj tashmë janë LSI-ja dhe PDIU-ja. Cila duhet të jetë qasja e z. Basha si kryetar i PD-së, ndaj këtyre partive. A është koha që partitë e djathta të bashkohen në Konfederatën e Djathtë, një ide kjo e propozuar nga vetë Ju, pak vite më parë? Ose si duhet të funksionojë tashmë opozita kur përballë ka “super PS-së”?

Si lëvizje politike mendoj se ka nevojë për një organizim të së djathtës dhe jo vetëm PD-ja me tre objektiva kryesore: Përcaktimi qartësisht i një identiteti politik dhe qeverisës të djathtë. Ndërtimi i një strukture organizative dhe vendimmarrëse me përfshirjen e forcave të djathta, dhe faktorëve politik të djathtë në kuadër të një federate. Ndërtimin e një strukture dhe mbështetje elektorale bazuar mbi idetë e djathta dhe grupet afër saj: Të përndjekurit, pronarë, biznese, të rinj dhe intelektualë. Krijimi i mundësisë së konkurrimit të çdo faktori nëpërmjet “primary election”. Me faktorët e tjerë opozitarë duhet bashkëpunuar në shërbim të mbarëvajtjes së jetës parlamentare dhe interesave të vendit, por duke ruajtur qartësisht dallimet politike.

PD-ja është sot në një udhëkryq? Nga kritikët e grupit anti-Basha, a po dëmtohet PD-ja? Çfarë mund ta ribashkojë atë, si mund të gjendet rrugët e ringritjes?

Ka vetëm një rrugë përfshirje dhe bashkëpunim të të gjithë faktorëve për të ringritur të djathtën. Nuk e ka komoditetin e përçarjes apo përjashtimit as PD-ja, e as e djathta.

Kreu i qeverisë është shprehur se do t’i shtrihet dora e bashkëpunimit opozitës, ndërsa uroi që marrëveshja e arritur mes tij dhe kreut Basha të mos ketë vdekur. Si duhet ta kuptojmë këtë deklaratë?

Ka dy çështje të rëndësishme marrëveshja. Reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, që kërkojnë bashkëpunimin pozitë-opozitë. Me z.Basha diskutova që është e rëndësishme që për të dy çështjet të kemi një gjykim ekspertësh dhe politik brenda opozitës, përpara se të fillojmë diskutimin me kundërshtarin. Ne nuk kemi Republikë Kushtetuese, por Republikën e tepsisë me pronar dhe timonier Edi Ramën. Nuk ka 3 pushtete ato ekzistojnë në letër, në praktikë ka vetëm një Edi Rama dhe njerëzit rreth tij. Nuk kemi as shtet të së drejtës as shtet ligjor. Po ashtu fenomeni i kriminalizimit të politikës dhe blerjes së votës duhet të gjejë një zgjidhje urgjente. Raporti i CIA-s, e përshkruante Shqipërinë si vend i narko-trafikut. Kjo mjafton për të parë se ku jemi katandisur.

Nga marrëveshja Rama-Basha, në detyrë vazhdojnë të qëndrojnë kreu i KQZ-së dhe Avokatja e Popullit. Duhet t’i mbajë këto dy institucione PD-ja?

Mendoj se janë dy institucione që i takojnë opozitës. Avokati i Popullit ka qenë marrëveshje e hershme që i takon opozitës. Kryetari i KQZ-së për rëndësinë që ka procesi zgjedhor dhe besueshmërinë që duhet të krijojë në administrim duhet ta drejtojë opozita.

Me kabinetin e tij qeveritar, kryeministri Edi Rama shkriu Ministrinë e Integrimit, a është kjo heqje dorë nga projekti për bashkimin e Shqipërisë me BE?

Edi Rama nuk e ka dashur integrimin në BE, as kur ka qenë në opozitë dhe as në qeveri. Sa më larg BE-së në aleanca të errëta ndesh me interesat strategjike shqiptare, aq më e lehtë për të që të sigurojë aleatë dhe marrëdhënie korruptive, me influencë në një vend të vogël si Shqipëria.

Bashkimi Europian ka marrë një vendim tjetër duke i shtuar Shqipërisë si kusht për hapjen e negociatave luftën kundër kanabisit. Çfarë do të thotë ky kusht i ri i vendosur nga BE?

Ne kemi 4 vjet që e kemi thënë këtë dhe për fatin e keq BE-ja s’ka dashur ta dëgjojë, si duket raporti i CIA apo Europolit ka ngritur zilet e alarmit edhe në Bruksel, i cili s’mund të mbyll më sytë apo gojën përballë këtij realitetit, që po e sulmon çdo ditë me tonelata drejt Italisë, Greqisë, Holandës etj.

PR-ja, kauzën e saj të fortë ka pasur çështjen e pronave dhe zgjidhjen e saj, si e shihni nismën e qeverisë që të gjithë institucionet që merren me pronat do të grupohen në një institucion të vetëm? Sa rezultative mund të jetë kjo nismë, dhe a ishte kjo rruga e duhur për trajtimin e çështjes së pronësisë në Shqipëri?

Qeveria në 4 vjet ka punuar në dëm të së drejtës të pronës dhe pronarëve, mjafton ti referohemi vendimeve të gjykatës së Strazburgut. Për këtë ide të shohim konkretisht se çfarë është dhe pastaj të kemi një gjykim.

SHKARKO APP