Bord edhe për produktet ushqimore, Kryeministri Rama: Kush abuzon me çmimet, i konfiskohet malli dhe mbyllet biznesi
Pas naftës, qeveria do të ndërhyje edhe për të mos lejuar rritjen abuzive të çmimeve ne ushqime. Gjatë një takimi me përfaqësues të furnizuesve të ushqimeve bazë, kryeministri Edi Rama thotë se qeveria do të ndërhyjë menjëherë për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë dhe ngrirjen e marzheve të fitimit.
Më tej Rama ka paralajmëruar ngritjen e bordit për menaxhimin e çmimeve të ushqimeve, dhe kush abuzon do t’i konfiskohen produktet dhe do t’i mbyllet biznesi.
“Ajo që më ka shqetësuar më shumë është se shumica i hedh fajin pakicës dhe anasjelltas për diskutimin për çmimet. Për të mos pasur hedhje faji, do krijojmë bord të përbashkët për çmimet e produkteve të shportës. Askush nuk do të tolerohet të vendosë çmime të ndryshme dhe kush e bën këtë, do ia konfiskojmë komplet, jo me arbitraritet, por me ligj dhe zakon. I gjithë prodhimi do të konfiskohet nëse dikush do të luajë me çmimet.
Me karburantet puna po ecën mirë. Besoj se jemi në kushtet e transparencës së çmimit, sepse nga informacionet që marr mbledhjet zhvillohen me tension, por s’ka rëndësi, rëndësi ka rezultati. Kush nuk pranon këtë do të ndërmarrët me masa ekstreme. Nëse themi që çmimi i vajit është ky, ai çmim nuk do të jetë ndryshe këtu dhe ndryshe atje, do të jetë 1. Kush do e lëvizi për lart do të humbasë të gjithë sasinë dhe të drejtën për të tregtuar. Kontrollet nëpër markete do të jetë të vazhdueshme dhe pasojat do të jetë mbyllja e marketit dhe marrja e gjërave që ka brenda. Do e bëjmë me ligj, sepse është lufta. Nuk besoj se do të vijë puna deri këtu. Nuk po kërkojmë asgjë që cënon palcën e biznesit tuaj. Duam të garantojmë vazhdimësi edhe për ju. Kontrata, linja të krijuara ndër vite nuk janë kollaj. Ajo që duhet të ndani mendjen është se nuk do të fitoni aq sa fitoni normalisht”, tha Rama.