Borrell viziton sot Kosovën e Serbinë: Ballkani Perëndimor një nga prioritetet tona
Nga Deutsche Welle
Joseph Borrell viziton Kosovën dhe Serbinë pa një plan konkret për vazhdimin e dialogut, por me qëllim që të tregojë angazhimin personal për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe mbetjen e BP në zonën e ndikimit evropian.
Joseph Borrell para vizitës së tij të parë në Ballkanin Perëndimor (BP) me mandatin e Përfaqësuesit të Lartë të BE për Politikën e Sigurisë, thotë se ka zgjedhur qëllimisht për të vizituar së pari Kosovën dhe Serbinë.
“Duke pasur parasysh gatishmërinë time personale, që dialogu të përparojë nën ombrellën e BE-së, kam dashur që së pari të vizitoj Kosovën dhe Serbinë. Kemi para vetes shumë punë të rëndësishme, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Borrell para udhëtimit në Kosovë
Thuajse në çdo paraqitje në publik, që kur është zgjedhur në postin e shefit të diplomacisë së BE, Borrell ka theksuar se Ballkani Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e këtij mandati. Konkretisht ai insiston në finalizimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe ndërsa Komisioneri i ri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi thotë, se shpreson që marrëveshja të arrihet brenda vitit 2020, në kabinetin e Borrellit thonë, se vizita e parë e shefit të diplomacisë së BE nuk duhet pritur të rezultojë me propozime konkrete dhe me një plan se si të vazhdohet dialogu dhe të arrihet zgjidhja për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.
„Përfaqësuesi i lartë viziton Kosovën dhe Serbinë për të dëshmuar angazhimin e tij personal dhe qëllimin, për të bërë sa më shumë të jetë e mundur për të lehtësuar dialogun, në të cilin ai është ndërmjetësuesi kryesor”, thotë zëdhënësi i BE, Peter Stano.
Jo shumë shpresa nga vizita e parë e Borrellit
Që nuk duhet të varen shpresa të ekzagjeruara në vizitën e parë të Përfaqësuesit të Lartë të BE në Beograd dhe Prishtinë, është i mendimit edhe shefi i zyrës në Bruksel të Institutit gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri (SWP). “Procesi i bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës nën mbikqyrjen e BE ka ngecur kohë më parë, dhe në këtë moment në Bruksel dhe në BE nuk kanë shumë ç’ka t’i ofrojnë Beogradit dhe Prishtinës për t’i inkurajuar për bisedime të reja dhe kompromise”, thotë Dushan Reljiq për DW. Reljiq thekson faktin se politika e zgjerimit të BE gjendet në një lloj krize, prandaj hapat do të duhej të përcaktohen, pasi Komisioni Evropian të dalë me propozimin për metodologjinë e re për negociatat e pranimit. Nga ana tjetër Joseph Borrell vjen në Kosovë në momentin, kur në Prishtinë nuk është krijuar ende qeveria e re, e cila do të duhej të angazhohej për rifillimin e dialogut, dhe në Beograd po zhvillohet tashmë fushata për zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për në pranverë. „Prandaj një gatishmëri e madhe për kompromise dhe hapa të rinj, nuk duhen pritur këtu”, përfundon Reljiq.
Serbia dhe Kosova mbeten zona të ndikimit të BE
Periudha e ngecjes në Serbi, tranzicioni në institucionet e BE dhe ndryshimet në metodologjinë e politikës së zgjerimit, nuk e frenuan administratën amerikane që menjëherë para udhëtimit të Borrellit në Ballkan ”të shpallë fitoren” dhe të njoftojë për arritjen e marrëveshjes për vendosjen e linjës direkte ajrore, pastaj edhe asaj hekurudhore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës Një iniciativë e tillë amerikane, e negociuar dhe realizuar në Berlin, ka ngritur pyetjen e vazhdimësisë dhe efektivitetit të rolit të BE-së si ndërmjetës kryesor në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Në Bruksel përgjigjen se “çdo marrëveshje është e mirëpritur”, por edhe hedhin poshtë mundësinë që SHBA dhe Presidenti Trump të marrin rolin udhëheqës në zgjidhjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
”Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës zhvillohet nën kujdesin BE, dhe Joseph Borrelll dëshiron që të jetë kryenegociatori. Ne punojmë ngushtë me SHBA në rajon dhe mbështetja e tyre në procesin, që drejton BE, është gjithmonë e mirëseardhur”, deklarojnë burimet diplomatike të Bashkimit Evropian. Ato shtojnë se janë të vetëdijshëm për ndikimin, që Uashingtoni ka në Prishtinë dhe Moska në Beograd, por thonë se “nuk kanë frikë”, që Serbia, Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të dalin nga “zona e ndikimit të BE”.
“Është mirë që diçka po lëviz, gjithsesi në kontekstin e Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit do të ketë një përafrim, që do të çojë një ditë në një marrëveshje”, thekson lidhur me këtë kontekst Dushan Reljiq. Reljiq, si edhe shumica e analistëve evropianë, thekson faktin se SHBA ka anoncuar marrëveshjen, apo thënë më mirë letrën me qëllimet, që janë akoma larg nga zbatimi në terren, i cili varet thuajse nga të njëjtat gjëra, ku “janë penguar” më parë edhe bisedimet e tjera mes Beogradit dhe Prishtinës.
A po e rishikon Berlini strategjinë për Serbinë dhe Kosovën?
Para vizitës në Kosovë dhe Serbi Përfaqësuesi i lartë i BE bisedoi në Berlin me shefin e diplomacisë gjermane, Heiko Maas, për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Borrell theksoi se Brukseli dhe Berlini kanë ”vizion të përbashkët”, kur është fjala për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu edhe „rolin udhëheqës” të Gjermanisë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE. Në Institutin gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri theksojnë se Gjermania ka kërkuar që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen, duke i vendosur në një kornizë më të gjerë të përgatitjeve për pranim në BE.
Berlini, sipas Dushan Reljiqit, ka shpresuar që Beogradi dhe Prishtina do të jenë të gatshëm për kompromise dhe zgjidhje të përbashkëta për shkak të pranimit më të shpejtë në BE: „Ndërkohë perspektiva e një pranimi të shpejtë dhe jo aq të komplikuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ka rrëshqitur në një të ardhme të largët. Kështu që edhe strategjia në Berlin, që përmes anëtarësimit në BE të kërkojë zgjidhje për ndarjen e Serbisë dhe shkëputjen e Kosovës, është diçka që me siguri do të duhet të rishqyrtohet tani,” thotë Reljiq për DW.
Ai shton se Ballkani Perëndimor është një nga hapësirat e rralla gjeopolitike, ku BE ka me të vërtetë ndikim, i cili buron nga një perspektivë e caktuar për anëtarësim. ”Meqenëse kjo perspektivë e pranimit është dobësuar aq shumë, mendoj se Borrell dhe Komisioni i ri me në krye Ursula von der Leyen duhet të rishqyrtojnë situatën e marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e pranimit në BE”, përfundon Reljiç.
Dhe para se të bëjë një rishqyrtim gjithëpërfshirës brenda BE, Borell thotë, se gjatë vizitës së tij të parë synon thjesht “të njohë Kosovën dhe njerëzit, që jetojnë atje”.