Braçe: Drejtësia të rinisë hetimet për pushkatimet e 21 janarit
Pas deklaratës së Bashës që krahasonte grushtin e shtetit në Turqi me ngjarjen e 21 janarit 2011 në Tiranë, ka reaguar edhe deputeti socialist Erjon Braçe. Përmes një postimi në Facebook, Braçe thekson se “homazhet” e njëpasnjëshme që Sali Berisha i bën 21 janarit, kanë vlerën e një dëshmie për një hetim të ri, të pavarur e profesional mbi pushkatimet në 21 janar.
Komenti i plotë:
Një kriminel si Sali Berisha, vijon t’i bëjë “homazh” masakrës së tij më 21 janar 2011.
Vijon ta quajë “grusht shteti”, vijon të quajë pushkatimet e tij të asaj dite, “përgjigje e merituar”.
Të gjitha komentet e reja, i ka bërë duke vendosur ngjarjet e djeshme të Turqisë në 21 janarin shqiptar.
Ju i dini rezervat e mia për “drejtësinë” në këtë vend.
Por, asnjë agjenci ligjzbatuese e shtetit të drejtuar nga Berisha, as prokuroria e as ndonjë gjykate, nuk kanë hetuar e gjykuar ndonjë “grusht shteti”.
“Grushti i Shtetit” nuk ekzistoi kurrë! “Grushti i Shtetit” u sajua pasi u pushkatuan 4 njerëz të zakonshëm në mes të bulevardit, si alibi për pushkatimet pa gjyq.
Por “homazhet” kohë pas kohe të Berishës vlejnë për drejtësinë.
Shikoni: Drejtësia e kontrolluar prej tij ka dhënë tre verdikte në tre palë gjykata. Në të tria ka vendosur:
“Vrasje nga pakujdesia”!
Por Sali Berisha thotë tjetër gjë. Sali Berisha i quan vrasjet “përgjigje e merituar”. “Përgjigje e merituar” nga “pakujdesia” nuk ka! Asnjëherë! Përgjigje e “merituar” është “vrasja me paramendim”.
“Vrasja me paramendim” nuk është hetuar kurrë, as gjykuar gjithashtu.
Ndaj mendoj se “homazhet” e njëpasnjëshme që Sali Berisha i bën 21 janarit të tij, kanë vlerën e një dëshmie për një hetim të ri, të pavarur e profesional mbi pushkatimet në 21 janar.
Kjo po është “përgjigja e merituar”.
KOHA JONË SONDAZH

