Braçe për protestën: Bllokimi i Tiranës për kaq pak njerëz, veprim i padrejtë

Deputeti i PS-së Erion Braçe ka komentuar protestën para Kryeministrisë. Braçe shkruan se të bllokosh segmentet kryesore është si t’a kapësh Tiranën për hundë dhe t’i marrësh frymën.
“Tortura ndaj Tiranës vijon! Të bllokosh një segment te bulevardit nga kthesa e Presidencës tek Ura e Madhe e Dajti prej orës 8.00 të mëngjesit, të bllokosh gjithë bulevardin nga Sheshi “Nënë Tereza” në Sheshin “Skënderbej” dhe pastaj te bllokosh kalimin në Unazë nga Rruga e “Elbasanit” e deri tek ura e Drejtorisë së policisë është t’a kapësh Tiranën për hunde, t’i marrësh frymën dhe këtë t’a bësh për kaq pak njerëz që patjetër gëzojnë lirinë, të drejtën e privilegjin të kapin për fyti Tiranën për asgjë, kot, është e padrejtë”, shkruan Braçe.
PD zhvilloi për rreth 1 orë e 15 minuta protestën e parë për këtë vit dhe që zhvillohet rreth 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Në dallim nga protestat e tjera, sot tubimi pati pak tymuese dhe shashka.