Braho u shkarkua pasi hodhi akuza ndaj Dakos, Paloka: Pse nuk reagon SPAK-u?
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, nxit reagimin e SPAK-ut, pas shkarkimit nga detyra si nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, të Arbri Brahos. Paloka thotë se Prokuroria e Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet që të kishte reaguar fill pas denoncimeve të bëra nga zyrtari ndaj Vangjush Dakos që drejton ende Bashkinë e Durrësit. ”Ky është SPAK që ne i kërkojmë të bëjë Vetting-un e politikanëve. E për të qenë edhe më e plotë tallja dhe cinizmi; unë nesër kam seancën e rradhës të një gjyqi, ku jam i paditur për shpifje nga zëvendës kryehajduti i zgjedhjeve në Durrës, Çela i Ramës”.
Postimi i plotë
Nënkryetari socialist i bashkisë Durrës (i shkarkuar dje) ndër denoncimet e tjera që ka bërë, ka deklaruar hapur se ”rilindja” me Dakon në krye, në zgjedhjet e fundit blenë vota me shumicë në Durrës, duke përdorur dhe pushtetin.
”Kjo u pa tek zgjedhjet e fundit. Të arrish të blesh, të jesh në pushtet e të blesh vota e të dalësh prapë skandal ne zgjedhje”,-thotë Braho në emision televiziv tek ”Syri Tv”. Për këtë akuzë dhe të tjera (pra për blerje votash dhe përdorim të pushtetit në zgjedhje) ka një padi timen, në emër të PD, në SPAK që prej marsit 2021.
Tani vjen kjo akuzë direkte nga një funksionar i lartë i PS për të njëjtën çeshtje. Çfarë ndodhi? Asnjë reagim nga SPAK nuk ka ende. Arrestohen e ndalohen gjashtë persona nga bashkia Durrës me urdhër të SPAK-ut, për abuzim në blerjen e një shkalle për zjarrefikës, po për këtë krim të rëndë zgjedhor heshtje e plotë. Heshtje që nga marsi për padinë time.
Heshtje dhe tani. Ky është SPAK që ne i kërkojmë të bejë vettingun e politikanëve! E për të qenë edhe më e plotë tallja dhe cinizmi; unë nesër kam seancën e rradhës të një gjyqi, ku jam i paditur për shpifje nga zëvendës kryehajduti i zgjedhjeve në Durrës, Çela i Ramës.