Bumçi: Nëse plotësojmë kushtet, pas 8 vitesh mund të anëtarësohemi në BE

Aldo Bumçi për “Koha Jonë”: “Basha si Kryeministër, nuk do të nxiste konfliktin”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, shprehet se Shqipërisë do t’i duhen të paktën 8 vjet për t’u anëtarësuar në BE. “Ne kemi vetëm një detyrë, të plotësojmë kushtet, të bëjmë zgjedhje të lira, të luftojmë drogën, krimin në politikë dhe do të përparojmë me shpejtësi drejt BE-së. Nëse ne bëjmë detyrat e shtëpisë, brenda 2 mandateve qeverisëse, pra 8 vite, mund të anëtarësohemi në BE”,- shprehet Bumçi.

Z.Bumçi, hapja e negociatave për Shqipërinë drejt BE-së po shihet si një mision i pamundur? Përtej euforisë politike, a është i gatshëm vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane? A është kufizuar Këshilli i Ministrave të BE-së në vetëm 5 kushte?

Në vend që t’i afrohej, sot Shqipëria i është larguar BE-së. Një fakt i trishtë, por i vërtetë. Këshilli Europian përpara pak ditësh tha se Shqipëria “duhet të zbatojë 5 prioritetet në mënyrë të qëndrueshme, të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse dhe se kjo gjë duhet të sigurohet përpara hapjes së negociatave. Këshilli do t’i rikthehet Shqipërisë kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm”. Pra që nga marrja e Statusit të vendit kandidat në Qershor të 2014 jo vetëm nuk është bërë asnjë hap përpara, siç duket në vlerësimin që Këshilli i bën 5 prioriteteve, por janë shtuar dhe disa kërkesa nga ana e BE-së: Zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit për largimin e personave të dënuar nga funksionet publike; Mbajtja e Zgjedhjeve sipas Standardeve Europiane; Lufta kundër Drogës, duhet të theksojmë se Këshilli nënvizoi luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës në mënyrë të veçantë. Dekriminalizimi i politikës nuk ka ekzistuar më parë si kërkesë e veçantë e BE-së, kjo është një dhuratë e Edi Ramës për shqiptarët. Rikthimi i problemit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është gjithashtu, kontribut i Kryeministrit Rama. Nuk pranohesh në BE duke u kthyer në ‘kryeqendrën e hashashit për Europën”, siç deklaronte reportazhi i BBC-së apo “Corriere della Serra” dhe shumë media të tjera ndërkombëtare. Nuk mund të pranohesh në Europë me këtë ndikim dhe përfaqësim të krimit në politikë. Kushtet për hapjen e negociatave janë publike dhe për Shqipërinë nga 5 prioritete që ishin, janë bërë 8. Pesë prioritetet janë: 1-Reforma në Drejtësi; 2-Lufta kundër Krimit dhe Korrupsionit; -Reforma në Administratën Publike; 4-Çështja e Pronave; 5-Të Drejtat e Njeriut. Ndërsa u shtuan: 6-Zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit; 7-Mbajtja e Zgjedhjeve sipas Standardeve Europiane; 8-Fqinjësia e mirë. Si dhe u nënvizua Lufta kundër Drogës. Siç shikohet nuk ka asnjë rrugë të shkurtër për hapjen e negociatave dhe qeveria nuk mund ta mbulojë me propaganda dështimin e rëndë dhe të dukshëm në të gjitha këto fusha.

Është e vërtetë që komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE dhe KE, sipas maxhorancës, i shohin përpjekjet e PD si shprehje vullneti kundër reformës dhe nëse është kështu, pse? A rrezikon PD-ja që me këmbënguljen te reforma në drejtësi të marrë kostot e mos hapjes së negociatave?

Është e vërtetë që Kryeministri Rama u investua fuqishëm në këtë drejtim, duke keqpërdorur dhe median që e kontrollon në një masë të madhe, për ta treguar PD-në si penguese të reformës. Por në fakt rezultoi e kundërta, PD-ja ishte kundër kapjes së drejtësisë nga Kryeministri, kapje që po shitej si reformë. Opinionet e Komisionit të Venecias rrëzuan në masën më të madhe përpjekjet e Ramës për kapjen e drejtësisë. Opozita edhe pse në një pozitë të vështirë negociuese për shkak të numrave të pakët në Kuvend, i qëndroi deri në fund parimeve kryesore që mëshironte dhe Komisioni i Venecias dhe arriti të kalonte një reformë që shmangu kapjen e drejtësisë nga qeveria. Përgëzimet që kryetari i Partisë Demokratike, z.Basha mori nga Kancelarja Merkel, Ndihmës-Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland, nga Komisioneri Hahn etj., janë tregues i qartë se roli i PD-së u vlerësua. Është e qartë se propaganda bajate e qeverisë se opozita është problem nuk qëndron.

Në Shqipëri është krijuar ideja se reforma në drejtësi dhe hapja e negociatave janë të lidhura me arrestimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion. A është ky kushti kryesor, sipas thirrjes edhe të ambasadorit Lu, që politika pa dallim partiak duhet të hetohet?

Nëse duhet të bënim një listë të shkurtër, mund të themi se largimi i kriminelëve nga politika, ulja drastike e kultivimit dhe trafikut të drogës dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve europiane, janë kushtet thelbësore pa të cilat nuk do të hapen negociatat. Këto kushte vlejnë dhe për suksesin e reformës në drejtësi. Cili qytetar, qoftë dhe me bindje të majta, beson se mund të ketë një reformë të suksesshme në drejtësi, kur në të njëjtën kohë njerëz që kanë kryer krime të rënda, mbajnë pozicione të larta në politikë dhe administratë. Besoj se të gjithë bien dakord se të tre këto fenomene janë parakushte dhe për një reformë të suksesshme në drejtësi.

Kanë ndikuar raportet me fqinjësinë në rrugën e anëtarësimin, siç u zbulua që Italia kishte kërkuar datë për negociatat, por nuk u mbështet. A ka Shqipëria përkrahjen e 28 vendeve të BE-së?

Deri më sot vendet fqinjë si: Italia dhe Greqia, jo vetëm nuk janë bërë pengesë për Shqipërinë, siç ishte rasti i Greqisë me Maqedoninë, përkundrazi kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë si për anëtarësimin në NATO, Liberalizimin e vizave apo marrjen e Statusit të vendit kandidat në BE. Italia duke qenë një nga vendet themeluese të BE-së dhe ekonomia e tretë në eurozonë ka dhënë një mbështetje të çmuar dhe të pakursyer në këtë drejtim. Lajmin për mos hapjen e negociatave e dhanë të parët Gjermanët. Në Tiranë erdhi Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, z. Kirchbaun, i cili solli në Tiranë qëndrimin e grupit parlamentar të CDU-CSU, partia e Kancelares Merkel, ku rreshtoi 7 kushte për hapjen e negociatave. Përveç 5 prioriteteve, shtoi, zbatimin e dekriminalizimit, lufta kundër drogës, ku përmendi hapat mbrapa që janë bërë në këtë drejtim, dhe zgjedhjet e lira. Pavarësisht propagandës së bërë nga vetë Kryeministri Rama, se ky ishte një deputet i thjeshtë që nuk përfaqësonte askënd, qëndrimi i Kancelares Merkel dhe konkluzionet e Këshillit Europian ishin se Shqipëria duhet të përmbushë 8 kushte që të hapë negociatat. Problemi është në Tiranë dhe askund tjetër. Është shumë domethënës fakti që Gjermania u bë vetë zëdhënëse e këtij qëndrimi.

Ekspertë dhe udhëheqës të lartë në BE, janë shprehur se vendet e Ballkanit duhet të presin gjashtë deri në dhjetë vjet para se të bëhet anëtarësimi apo dhe se para 2020 nuk ka anëtarësime të reja? Çfarë do të thotë kjo për vendin tonë?

Dera është e hapur dhe kryesisht ritmi dhe koha e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit në BE do të varet nga vetë ne. Deklarata në lidhje me ngrirjen e anëtarësimeve të reja në BE për 5 vite është bërë 3 vjet më parë dhe nuk prek asnjë vend sepse asnjë vend nuk ishte/është gati për anëtarësim. Ndërsa hapja e negociatave, diskutim i kapitujve të ndryshëm ka vazhduar normalisht siç tregon rasti i Malit të Zi dhe Serbisë. Ne kemi vetëm një detyrë, të plotësojmë kushtet, të bëjmë zgjedhje të lira, të luftojmë drogën, krimin në politikë dhe do të përparojmë me shpejtësi drejt BE-së. Nëse ne bëjmë detyrat e shtëpisë, brenda 2 mandateve qeverisëse, pra 8 vite, mund të anëtarësohemi në BE.

Zgjedhjet e 2017 po afrojnë, a është PD-ja ende në kërkim të një koalicioni fitues?

Qytetarët shqiptarë janë masivisht kritik dhe të zhgënjyer me qeverisjen e Kryeministrit Rama. Kjo është qeveria më e paaftë që ka parë Shqipëria në 25 vjet, duke e krahasuar dhe me qeveritë e majta të 1997-2005. Eksodi masiv i qytetarëve shqiptarë gjatë këtyre viteve është treguesi më përfaqësues i gjendjes së rëndë ekonomike, shkeljes të së drejtave themelore dhe dëshpërimit masiv e vrasjes së shpresës që ka sjellë kjo qeveri. Partia Demokratike është e vetmja forcë kryesore në spektrin politik shqiptar që ka potencialin njerëzor, përvojën dhe programin për ta ndryshuar këtë gjendje të rëndë, ku ndodhet vendi. Ç’do votë për Ramën apo për partitë në koalicion me të, do të thotë përsëritje e këtyre katër viteve që kaluam. Të gjitha çështjet e ngritura nga Partia Demokratike 2-3 vite më parë janë vërtetuar, çfarë tregon saktësinë e qëndrimeve tona. Ne denoncuam lidhjet e qeverisë së majtë me krimin, çfarë është vërtetuar plotësisht dhe përbëjnë sot kushtet kryesore për hapjen e negociatave; dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Partia Demokratike ka hartuar tashmë një program ekonomik, pjesët kryesore të të cilit janë shpalosur siç është taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të naftës dhe energjisë, financimi i drejtpërdrejtë për fermerin, që do të nxis një frymë liberale në ekonominë shqiptare. Partia Demokratike drejtohet nga z.Basha, një politikan që spikat në tre drejtime. E para është kryetari i parë i një partie të madhe dhe kandidat për kryeministër, që është formuar tërësisht në perëndim, por në të njëjtën kohë ka dhe kujtesën për të kaluarën komuniste dhe trashëgiminë e vështirë të vendit çfarë është shumë e rëndësishme. E dyta z.Basha është një ndër kandidatët për Kryeministër më të përgatitur në këto 26 vite demokraci. Ai vjen mbas një përvoje të gjatë në drejtimin e disa nga dikasteret më të rëndësishëm, si ministër i Punëve Publike, ministër i Brendshëm, ministër i Jashtëm dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. E treta, z.Basha përfaqëson politikanin normal për të cilin Shqipëria ka kaq nevojë. Edhe militantët e majtë do e kishin të vështirë të mos binin dakord, se ai nuk karakterizohet as nga gjuha e rëndë, as nga dëshira për konflikt, se si Kryeministër nuk do të nxiste konfliktin dhe përplasjen me kundërshtarin, se do të përpiqej të ndërtonte një marrëdhënie normale me kundërshtarin politik dhe aktorët e tjerë e shoqëri, për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë.

SHKARKO APP