Burrat vrasës, pse i masakrojnë gratë?
Nga: Redjon Shtylla
E paragjykuar pse ishte e martuar dhe nga ajo martesë kishte fëmijë, Merushe Hazizi u vra nga babai i bashkëjetuesit të saj. 61-vjeçari Xhevahir Hoxha ishte kundër lidhjes së të birit me të renë. Për këtë arsye ata janë konfliktuar, ku më pas Hoxha ka marrë thikën dhe e ka goditur. Gruaja kishte 3 fëmijë nga martesa e parë, që jetonin me ish-bashkëshortin e saj, ndërsa kishte 3 vite që bashkëjetonte me djalin e 61-vjeçarit.
Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë, psikologët shkaqet i shohin komplekse. Nisin me mënyrën sesi i rrisim e edukojmë djemtë. “Për fat të keq djemtë ose burrat janë ata të cilëve u lejohet të kenë më shumë forcë dhe dominim te gjinia femërore, vajzat dhe gratë”. Eneida Frashëri, psikologe, thotë se mentaliteti i shoqërisë por edhe roli dominues i prindërve në jetën e fëmijëve të tyre janë të tjera arsye.
Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive. Çdo vit Shqipëria shënon statisika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara. Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre.
Urdhëri i mbrojtjes është veç se një letër e bardhë ku shënohet emrat e palës që kërkon mbrojtje nga policia, ku në shumë raste viktimat janë të detyruara që të bashkëjetojnë në një çati me dhunuesin e tyre, e kjo është një tjetër çështje ekonomike që shteti nuk jep zgjidhje. Prej vitesh flitet për barazi dhe mbrojtje të gruas në vend, por realiteti është larg tablosë që shfaqet në ekranet e bukura televizve.
Nëse duam të mbrojmë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës, të kemi polici, gjykatë dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra.