Nga Associated Press
William Argeros, mori vendimin final, me katër muaj burg, në fillim të kësaj jave për futje të fondeve të paligjshme nga një shtetas i huaj në një komitet për mbledhjen e fondeve për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012.
Argeros e kishte pranuar fajësinë për këtë akuzë në vitin 2016, dhe u dënua me 24 muaj burg. Por dënimi ndaj tij u ul, duke marrë parasysh faktin që nuk Argeros nuk kishte precedentë penalë, dhe fondet e paligjshme prej 80 mijë dollarësh nuk kishin për qëllim ndikimin në zgjedhjet në SHBA.
Ligji i SHBA ndalon shtetasit e huaj të japin kontribute në fushatat zgjedhore në Amerikë. Avokati i Argeros deklaroi se klienti i tij veproi në emër të një kandidati për kryeministër të Shqipërisë i cili dëshironte një foto me Obamën.
Kandidati për kryeministër ishte Edi Rama, tha avokati i Argeros, i cili u zgjodh dhe aktualisht është kryeministri i Shqipërisë. Kur akuzat u bënë publike në vitin 2016, zyra e Ramës mohoi të ishte burimi i kontributit.
Argeros i përlotur i tha gjykatësit, “Më vjen turp dhe mbaj përgjegjësi të plotë për atë që kam bërë”.
Fondet u dhuruan nëpërmjet një shqiptari rezident New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me shërbim provë në vitin 2017.
Përktheu: Lindita Kokoli, Koha Jonë
Burimi: https://www.apnews.com/5a55a6a62c1d4d58b0c153e9185cad40
