Bushati, në komisionin për politikën e jashtme të Kongresit Amerikan
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, mori pjesë në një seancë të posaçme të komisionit për politikën e jashtme në Kongresin Amerikan. Ministri Bushati i njohu kongresmenët mbi politikën e jashtme të Shqipërisë, situatën në rajon, zhvillimet më të fundit në vend, progresin e reformave shtet-konsoliduese, duke u ndalur veçanërisht në reformën në drejtësi si një reformë me impakt të gjerë dhe në reformat e tjera në vend.
Gjatë takimit u ndanë pikëpamje mbi bashkëpunimin dypalësh, situatën në rajon, çështjet humanitare dhe të sigurisë. Kongresmenët vlerësuan ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, si dhe impaktin e tyre në rrugëtimin euroatlantik të vendit. Ata çmuan bashkëpunimin me Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, kontributin e rëndësishëm të saj për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në përballimin e sfidave të sigurisë. Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e angazhimit të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e Shqipërisë si një aktor dinamik dhe konstruktiv në rajon.
Duke u ndalur në bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, Ministri Bushati u shpreh se: “forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, konsolidon perspektivën e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA për kryerjen e reformave kyçe në vend, si dhe për mbështetjen në procesin e integrimit të mëtejshëm euroatlantik të vendit.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Bushati zhvilloi takime të veçanta me senatorët Ron Johnson, Kryetar i nënkomisionit të Jashtëm dhe me Senatorin Chris Murphy. Palët ndanë pikëpamje mbi mjedisin e sigurisë në rajon, angazhimin e Shqipërisë dhe rezultatet konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit Ministri Bushati u takua me Amos Hochstein, i ngarkuar special dhe koordinator për çështjet ndërkombëtare të energjisë, me të cilin u diskutua mbi sigurinë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë. Gjithashtu, palët u ndalën në intensifikimin e përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit të sigurisë energjetike në rajon, si dhe rolin që mund të luajë Shqipëria si një pikë ndërlidhëse në Ballkan me tregun evropian të energjisë, nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik.
KOHA JONË SONDAZH

