Bushati: Ngrirja e integrimit rrezikon qëndrueshmërinë ballkanike
Sipas ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ngjarjet e fundit në rajon kanë treguar rreziqet e bllokimit të procesit të integrimit
Denion Ndrenika
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha me gojëplot se “ngrirja” siç e quajti, e procesit të integrimit në Ballkanin Perëndimor, rrezikon qëndrueshmërinë në këtë rajon.
Ndonëse nuk përmendi ngjarjet kriminale në Kumanovë, (një qytet etnik i Shqipërisë Lindore që mbeti jashtë kufijve në Konferencën e Londrës) të shtetit fqinj maqedonas, ministri Bushati tha se zhvillimet e fundit e dëshmojnë atë rrezik.
Ministri foli në konferencë të përbashkët për gazetarë me Edgaras Rinkeviçius (Edgaras Rinkevičius), ministri i Jashtëm i Lituanisë, Presidente e Radhës e Bashkimit Europian dhe Komisionerin e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë, Johanes Han (Johannes Hahn).
“Zhvillimet më të fundit në rajonin tonë kanë dëshmuar qartë se ngrirja e proceseve integruese në Ballkanin perëndimor mbart rreziqe për stabilitetin e rajonit”-tha zoti Bushati në konferencë pas mbledhjes së 7-të të Këshillit të Stabilizim-Asocimit, Shqipëri-Bashkimi Europian.
Sipas ministrit Bushati, ngjarjet e fundit në rajon kanë treguar rreziqet e bllokimit të procesit të integrimit.
“Në kontekstin e sfidave gjeopolitike, me të cilat përballet rajoni, – vijoi ministri Bushti, – është e nevojshme që Bashkimi Europian të japë një mesazh politik të qartë për forcat politike reformuese në rajon”.
Këshilli i Stabilizim-Asocimit, Shqipëri-Bashkimi Europian, sikurse njoftoi ministria e Jashtme, “vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin në rajon”.
Po ashtu e njejta strukturë e përbashkët e Tiranës me Brukselin vlerësoi “linjëzimin”, siç e përkufizon njoftimi i ministrisë, “të qëndrimeve të Shqipërisë me vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian”.
Këshilli i Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian zhvillon vetëm një mbledhje në vit ku shqyrton dhe analizon ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe kryerjes së reformave themelore nga vendi, përkatësisht Shqipëria që gëzon statusin “kandidat” prej 24 qershorit 2014.
*ILLYRIA