Bushati, takime me homologët e Indonezisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë
Në kuadër të qëndrimit të tij në Nju Jork për të marrë pjesë në Punimet e Sesionit të 70 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi takime dypalëshe me homologët e Indonezisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë.
Në takimin që Ministri Bushati zhvilloi me Ministren e Punëve të Jashtme të Indonezisë Retno Lestari Priansari Marsudi, palët konfirmuan nivelin pozitiv të marrëdhënieve dhe gatishmërinë për t’i avancuar ato me tej.
Dy Ministrat diskutuan mbi zhvillimet më të fundit, intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes. Ministri Bushati i kërkoi homologes Marsudi që vendi i saj të njohë shtetin e pavarur të Kosovës, si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar.
Në përfundim të takimit, dy Ministrat nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Indonezisë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, si dhe memorandumin e mirëkuptimit mes dy Ministrive për konsultimet diplomatike dypalëshe.
Gjatë takimit me homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik Abdullah bin Zajed al Nahjan, dy ministrat vlerësuan zhvillimin e suksesshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me theks në projektet e bashkëpunimit ekonomik.
Të dy homologët ndanë pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit në organizmat ndërkombëtare dhe u ndalën në zhvillimet më të fundit ndërkombëtare e rajonale, duke shprehur nevojën për bashkërendim të kontributeve në përballimin e sfidave që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë Nasser Judeh, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe u vu theksi në identifikimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe atij të biznesit.
Ministrat Bushati dhe Judeh vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, të demonstruar sëfundmi dhe në organizimin e takimit të nivelit të lartë me temë “Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”.
Në fund të takimit, dy Ministrat nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisësë Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
KOHA JONË SONDAZH

