Caka: Në prag zgjedhjesh, Sandër Lleshaj do të ngrejë grupin e hajdutëve të votave

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, urdhri i fundit i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për ngritjen në gradë dhe ecurinë në karrierë të efektivëve të Policisë është krejtësisht i paligjshëm. Ish-deputetja Silva Caka në një reagim përmes rrjeteve sociale deklaron se në prag zgjedhjesh, Sandri do të ngrejë grupin e hajdutëve të votave, duke kërkuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë, që të evidentojnë 10 policët më të zotë për t’i graduar “Nënkomisarë”.

“Gradimi i Policisë me urdhër Partie! Që Rilindja nuk ka respekt për Policinë e Shtetit, tashmë e dimë të gjithë! Që nga 2013, Policia e Shtetit identifikohet vetëm me rojtarët e parcelave të hashashit, gjobaxhinjtë dhe mbledhësit e votave. Kursi 6 mujor që zëvendësoi Akademinë e Rendit, nuk rezultoi gjë tjetër veçse rekrutim militantësh të Rilindjes, të cilët për partinë të nxjerrin sytë! Militantë që helmojnë me gaz fëmijë e pleq, militantë që rrahin qytetarët ditën me diell, drejtues që të gjejnë cenet në biografinë e familjes, policë që gjurmojnë maskat dhe që krimin në format më të rënda e lejojnë t’u kalojë poshtë hundës.  “Respekti” për Policinë e Shtetit kulmon në 3 momente të veçanta: 1. Thirrja që Edi Rama iu bëri “për të hedhur kapelet e për të mbledhur vota për Rilindjen”;  2. Fraza e famshme e Ministrit përgjegjës “polic ke qenë e polic ke mbetur”!; dhe 3. Ligji skandaloz për pensionimin e efektivëve mbi 55 vjeç, duke i detyruar të punojnë roje. Ministri përgjegjës i papërgjegjshëm i nxit policët të ushtrojnë dhunë e kur këta të fundit përballen me paditë e qytetarëve, i lë në rrugë të madhe e u thotë “dilini vetë për zot!”. Urdhri i fundit për ngritjen në gradë dhe ecurinë në karrierë të efektivëve të Policisë është krejtësisht i paligjshëm. Në prag zgjedhjesh, Sandri do të ngrejë grupin e hajdutëve të votave, duke kërkuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë, që të evidentojnë 10 policët më të zotë për t’i graduar “Nënkomisarë”. Së pari, planifikimi i politikave të ecurisë në gradë e karrierë të policëve, është tagër ligjor i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Por Sandri e shkallmon hierarkinë se është trim mbi trima e nuk pyet!  Së dyti, sipas ligjit të drejtën për të konkurruar për gradë e kanë të gjithë efektivët e Policisë që përmbushin kushtet ligjore, por Sandri nuk i do të gjithë; Sandri do vetëm 10 për çdo qark, të propozuar nga Drejtorët Vendorë, që vetë Sandri me Ardin i kanë emëruar! 10 militantë në çdo qark do bëjnë namin për zgjedhje! Së treti, sipas ligjit, procesi i gradimit kalon nëpërmjet konkurrimit e ngrihet dhe një komision i posaçëm për këtë punë. Mirëpo Sandri nuk pyet për konkurrimin; Sandri do t’i gradojë vetë të gjithë, bazuar në kriteret që ka Rilindja për Policinë e Shtetit. Sandri ka shumë mëkate në shpatulla dhe të jetë i sigurtë që 120 militantë në Policinë e Shtetit nuk do t’i bëjnë dot ballë 3 milionë shqiptarëve që do ta dërgojnë Sandrin dhe shefin e tij atje ku e kanë vendin”, shprehet në reagimin e saj, ish-ligjvënësja e LSI-së, Silva Caka.

SHKARKO APP