Cara: PDIU s’merr votat e PS, që ta kemi frikë partinë e Idrizit

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PS-së, Parid Cara

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kusht për hapjen e negociatave për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, mbetet zbatimi i ligjit të Vetingut. E tashmë që ky ligj është në dyert e Gjykatës Kushtetuese, qeveria nuk ka asnjë përgjegjësi. Kështu shprehet deputeti i Partisë Socialiste, Parid Cara, gjatë një interviste dhënë për “Koha Jonë”. E duke komentuar qëndrimin e tij për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Cara shton se Kryeministri nuk ka përse të marrë kosto nga papërgjegjshmëritë dhe arroganca e z.Beqaj. E për debatin lidhur me zgjedhjet e ardhshme, deputeti socialist pohon se, PS-ja do të marrë votat e saj dhe PDIU-ja votat e saj.

 Kusht për hapjen e negociatave është zbatimi i ligjit të Vetting-ut, por edhe lufta kundër kanabisit dhe zgjedhjet e 2017. Jeni optimist që në takimin e Këshillit të Ministrave të BE në dhjetor, vendi do marrë lajmin për hapjen e negociatave?

Në gjithë këtë periudhë 6 -mujore qeveria dhe maxhoranca e majtë i kanë kryer detyrat e tyre: u miratua Reforma në Drejtësi; janë dhënë prova konkrete në luftën krimit dhe korrupsionit; janë dhënë gjithashtu prova konkrete në vullnetin e saj për të luftuar trafikun e drogës. Pra, ashtu siç doli edhe nga takimi i Kryeministrit Rama në Berlin me Kancelaren Merkel, ai që e mban peng procesin e nisjes së negociatave, është ligji i Vetingut. Ky ligj tashmë është në dyert e Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë qeveria dhe kjo maxhorancë nuk kanë asnjë përgjegjësi. Besoj që sapo ligji i Vetingut të nisë zbatimin, do të ketë sinjale të qarta nga Brukseli për hapjen e negociatave.

Kuvendi miratoi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, e ku përveç rritjes së pagave, a do të paguajnë shqiptarët më pak taksa?

Në parim, nëse një qeveri do të rrisë rrogat dhe pensionet, me një vlerë që i kalon 100 milionë USD në vit, nuk mund të bëjë ulje taksash. Ndryshe ku do t’i gjente lekët ajo? E megjithatë, mesa jam informuar nga paketa fiskale e vitit të ardhshëm, që do të miratohet në Kuvend, ka disa fusha ku do të ketë ulje taksash. Së pari, do të ketë ulje taksash për mineralet metalore që përpunohen në vend, ku renta do të përgjysmohet nga 6% që është aktualisht në 3 për qind. Kjo nismë e qeverisë pritet të nxisë industrinë e përpunimit në vend e që rrjedhimisht rrit numrin e të punësuarve. Së dyti, do të ketë ulje taksash në industrinë e fasonit. Tarifat doganore të lëndëve të para të kësaj industrie janë deri në 15%, por që do të bëhen zero. Së treti, do të ulet akciza për duhanin e përpunuar që kultivohet në Shqipëri, nga 4.400 lekë për kg që është sot në 2.500 lekë për kg.

z.Cara keni kërkuar dorëheqjen e ministrit Beqaj? Lidhet kjo deklaratë e juaja me debatin e fundit që keni denoncuar me drejtorin e spitalit Kavajë, z.Daiu? Keni marrë përgjigje për shqetësimet e ngritura?

Unë kam ndjekur të gjithë rrugën institucionale për të ngritur problemet që kam vërejtur gjatë 3 vjet e gjysmë qeverisje. Edhe për rastin konkret, unë kam informuar ministrin e Shëndetësisë, të cilit i kam argumentuar se drejtori i Spitalit të Kavajës, zona që mua më ka besuar mandatin e deputetit, duke i thënë se ai nuk është në nivelin që kërkon ajo detyrë. Sektori i Shëndetësisë ka 25 vjet që është gangrenë në Shqipëri dhe duke vënë aty njerëz, të cilët mendojnë vetëm se si të pasurohen, është e pritshme që të jetë edhe sektori më i dështuar. Ministri më ka garantuar se do ta ndiqte si rast, por kaloi një kohë e gjatë dhe nuk mori asnjë masë. Pas heshtjes së ministrit unë kuptova se lidhja mes drejtorit dhe shefit të tij në Qeveri, është aq e fortë saqë unë nuk mund ta zhbëja. Iu drejtova mediave për ta ngritur si problem dhe për të qenë vetë publiku i Kavajës ai që duhet të gjykonte se kush kishte të drejtë. Dorëheqjen e ministrit unë e kam kërkuar pas publikimit të një audio përgjimi ku ai shkarkon me telefon një vartësin e tij. Për mua personalisht kjo ka qenë e papranueshme dhe për këtë qëllim kërkova dorëheqjen e Beqjes.

Jeni shprehur edhe se Kryeministri nuk duhet të marrë koston e sjelljes së ministrit Beqaj. Ju për çfarë kostoje flisni?

Arsyeja kryesore përse kërkova dorëheqjen e ministrit Beqja ishte pasi vura re se opinion publik bën përgjegjës kryeministrin dhe qeverinë për këtë rast. Për mua, por besoj edhe për shumë kolegë të tjerë në Partinë Socialiste, është e papranueshme që kryeministri të marrë kosto nga papërgjegjshmëritë dhe arroganca e një ministri. Prandaj edhe kërkova dorëheqjen e tij, që të paktën të çlironte kryeministrin nga kjo kosto.

Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku me ndryshimin e fundit të mandateve shihet që PS-ja fiton tre mandate deputetësh, në tavolinë. Si ju përgjigjeni kritikave edhe të PD-së, se PS po kërkon të blejë zgjedhjet e 2017?

Për mua çdo hipotezë apo justifikim se njëra parti fiton mandate në tavolinë dhe tjetra i humbet më duken të pavenda. Askush nuk e di se si do të jenë koalicionet parazgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. Sa herë që bëhet ky diskutimi i ndarjes së mandateve më kujtohen debatet politike elektorale të vitit 2013, kur të gjithë opinionistët mendonin se koalicioni fitues nuk do të merrte më shumë se 72 deputetë, se PS-ja ishte e fortë në një qark dhe PD-ja në një qark tjetër. Siç e patë edhe vetë, vetëm opinionbërësit nuk e kishin të qartë si do të dilnin zgjedhjet, pasi qytetarët e kishin ndarë mendjen për kë do të votonin. i njëjti debat, shterpë, po bëhet edhe tani.

Në optikën tuaj, si po qeveris koalicioni PS-LSI? Ka disa kohë që flitet për zgjedhje të parakohshme, ku edhe mes koalicionit mund të ketë fërkime? Në gjykimin tuaj, a duhet që Rama dhe Meta të kërkojnë një mandat tjetër së bashku?

Mendoj se koalicioni PS-LSI ia ka dalë që në 3 vjet e gjysmë të ndërmarrë disa reforma të rëndësishme, pa të cilat Shqipëria nuk mund të ishte një vend në prag të hapjes së negociatave me BE-në. Që në fillim ishte i paragjykuar koalicioni i Ilir Metës me Edi Ramën, madje çdo fundviti apo verë thuhej se ata do ta prishnin koalicionin dhe do ta çonin vendin në zgjedhje të parakohshme. Koha tregoi se ata bashkëpunuan shumë mirë dhe udhëhoqën një maxhorancë që ndërmori reforma radikale. Tashmë, nuk besoj se do të jetë e largët dita, kur ata të dy të ulen dhe të diskutojnë për vazhdimin e koalicionit. Personalisht nuk shoh asnjë arsye përse PS dhe LSI të mos kërkojnë një tjetër mandat vitin e ardhshëm.

Afrimi i PDIU-së me PS-në për deputetë të PS-së është një humbje e partisë afrimi i PDIU-së kur edhe në korridoret politike flitet për një zëvendësim që Rama po i bën Shpëtim Idrizit me Ilir Metën. Mendoni se PDIU-ja do ta penalizojë PS-në në zgjedhjet e 2017, ka potencial partia e z.Idrizi?

Formula zgjedhore garanton që çdo parti të bëjë llogaritë e mandateve politike me votat që do të marrë në popull. PS-ja do të marrë votat e saj dhe PDIU-ja votat e saj e në bazë të këtyre votave do të ndahen edhe mandatet. PDIU nuk do të marrë votat e PS-së që ne ta kemi frikë partinë e Shpëtim Idrizit. Nga ana tjetër i shoh si teori konspirative këto që Idrizi do t’i zërë vendin Metës, apo Rama ka marrë Idrizin për të trembur Metën. Sistemi elektoral të imponon që të krijosh një koalicion sa më të madh dhe sa më të qëndrueshëm në mënyrë që të marrësh votat e nevojshme për të krijuar Qeverinë.

Jeni në mandatin e parë si deputet. Do të rikandidoni përsëri në zgjedhjet e ardhshme?

Për mua ka qenë nder dhe privilegj që në këto gati katër vjet të përfaqësoja një zonë të vuajtur në Parlament. Gjatë kësaj kohe janë përpjekur që të orientoj sa më shumë investime për qytetin e Kavajës dhe është vetëm elektorati i Kavajës ai që mund ta vlerësojë punën time. Lidhur me pyetjen tuaj, është ende herët për të folur, edhe për faktin se do të jetë kryeministri ai që do ta përcaktojë fatin e gjithsecilit deputet.

SHKARKO APP