Çështja ”Gërdeci”, Mediu: Nxitet veç në fushata elektorale, nuk do kthehemi në kohën e drejtësisë popullore
Së bashku me avokatin e tij, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu doli në një konferencë për mediat pas vendimit të Apelit të GJKKO, i cili i hapi rrugë rihetimit dhe rigjykimit të tij për dosjen ”Gërdeci”. Mediu theksoi se ka kryer detyrën e tij si funksionar në atë kohë dhe thekson se nuk do të kthehen në kohën e drejtësisë popullore. Nga ana tjetër ai thekson se dosja është e nxitur politikisht pasi përmendet vetëm në fushata elektorale.
”Unë mendoj që vetë hetimi e ka provuar që Mediu nuk ka përgjegjësi me vendimin e VKM. Ministri është i detyruar të zbatojë vendimin. Në rast se nuk do të veproja me VKM, do të ishte shpërdorim detyre. Nga fakti që unë kam vepruar, besoj se kam bërë detyrën time si funksionar në atë kohë.
Çështja e gjykimit nuk është subjektive. Nuk mendoj se do të kthehemi tek koha e drejtësisë popullore, por drejtësia në kodin e procedurës penale dhe çdo procedurë që niset me indicie paligjshmërie, nuk është drejtësi.
Ju mendoni që Mediu duhet të rrijë gjithmonë i proceduar? Nëse nuk do të kishte nisur SPAK në 2007, por në 2027, Mediu duhet të ishte i proceduar? Kam qenë 4 herë në Gjykatën e Lartë. Edhe kjo çështje është gjykuar në Tiranë dhe ka marrë formën e prerë në Gjykatën e Apelit, por asnjëherë nuk i referohen këtij vendimi. Jam përpjekur të thellohem sa më shumë në ligjshmëri apo paligjshmëri.
Fakti që kjo çështje është nxitur vetëm në fushata elektorale, tregon se ka interes politik. Fakti që u hap gjatë fushatës dhe u la pas mbarimit të fushatës, tregon se nuk ka lidhje me kodin e procedurës penale. Jam përpjekur të jem korrekt”.