Çështja ”Salianji” në Këshillin e Europës, Basha: Nuk po zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Çështja e Ervin Salianjit që është në burg, ka shkuar edhe në arenën ndërkombëtare. Lulzim Basha, deputeti i grupit ”Euroatlantik” ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës. Basha ka sjellë në vëmendje çështjet e fundit të zhvillimit politik në vend nga arrestimi i Salianjit deri tek mandati i deputetes së PS-së Olta Xhaçka, njofton ai përmes një postimi në Facebook.
”Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri”,-shkruan Basha në postimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane, në Këshillin e Europës. Seanca me Sekretaren e Komisionit të Venecias në këtë takim më dha mundësinë të shtroja për diskutim disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.
Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Europës, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri.