”Çështja Xhafaj”/Zbardhet skenari i opozitës, në fjalimin e Ramës ka…
Redjon Shtylla
Opozita dhe qeveria sot do të flasin, secila në mënyrën e saj. Opozita siç ka paralajmëruar, do të organizojë një protestë para Ministrisë së Brendshme, nga ku do të kërkojë vetëm një gjë: ”Dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”. Protesta vjen fill pas publikimit të audio-përgjimit të vëllait të ministrit Xhafaj, aty ku sipas PD-së dëgjohet Agron Xhafaj me bashkëpunëtorin X, duke bërë bisedë për trafikun e drogës.
Ideja e protestës, është që gjatë tubimit nuk do të ketë fjalime, por pjesëmarrësit do të mbajnë në duar pankarta ku do të kërkohet largimi nga detyra e ministrit Xhafaj. Në tubim do të marrin pjesë anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Burime tregojnë se tubimi do të lihet në dorën e qytetarëve.
Opozita dje u rikthye në Komisionet Parlamentare, por me strategjinë për ti bllokuar socialistët, pasi temë të vetme kanë çështjen ”Xhafaj”. Ndërsa të enjten opozita nuk do të lejojë të ketë një seancë normale në Kuvend.
Dje pas mbledhjes me aleatët, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se Xhafaj hesht dhe i fshihet përgjegjësië së tij ligjore dhe politike. Ai thotë se ministri ndihmoi vëllanë e tij “t’i shpëtojë ekstradimit në Itali dhe vuajtjes së dënimit Italian në Shqipëri dhe të vazhdojë trafikun e drogës dhe të jetë një nga kokat e trafikut të drogës sic e panë dhe e dëgjuan dje mbarë shqiptarët”.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama, i cili vjen nga Parisi pas një takimi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron në kuadër të çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE, do të mbajë një qëndrim rreth situatës së krijuar në Ministrinë e Brendshme. Kryeministri njoftoi në rrjetin social facebook se ditën e sotme, në orën 11:00 do të flasë para grupit parlamentar të PS, mbi akuzat e PD mbi vëllezërit Xhafaj. Nuk dihet përmbajtja e fjalimit, por njlë mesazh Rama e dha mbrëmë.
“Jemi të gjithë njësoj? JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj! Nesër në 11:00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave”, shkruan kryeministri.
Duhet theksuar se në Shqipëri ligjërisht përgjime bën Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Prokuroria, por nga mënyra se si sillen politikanët dhe zyrtarët shqiptarë, tregon se ata i tremben edhe përgjimeve nga të tretët.
/Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

