Cilën Rilindje të besojmë? Rrokaj: ”Tepsia” bosh e qeverisë, qytetarët të reagojnë
Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, përmes një shkrimi të gjatë të postuar në rrjetin social facebook, i bën thirrje qytetarëve që të marrin fatet e tyre në duart, pasi për të, qeveria ka gatuar një ”çorbë” në tepsinë e saj.
Duke përmendur blerjen e zgjedhjeve, përfshirjen e Saimir Tahirit në hetimet për bandën e Habilajve, drogën, krimin, rritjen e varfërisë etj, deputeti thotë se qeveria sot merret me opozitën dhe ka lënë në harresë punët e vendit.
”Mos shani opozitën, se opozita fjalën e lirë ka, po edhe atë nën trysninë e largimit nga puna apo ndëshkimeve të tjera të padrejta. Merruni me qeverinë, se ajo ka “tepsinë” prej së cilës varet mirëqenia juaj”,-shkruan deputeti i LSI-së
Postimi i plotë nga Shezai Rrokaj
Cilën Rilindje të besojnë shqiptarët? Atë të Sajmes për policinë katër vite më parë apo këtë Rilindje që u premtua për policinë me rastin e 105-vjetorit? Atë me program që fitoi zgjedhjet katër vite me parë apo këtë të fundit me tepsi, kazan e timon, pa program fare? Atë që katër vite më parë i fitoi zgjedhjet me shpresën e ndryshimit apo këtë të dytën që i bleu zgjedhjet me paratë e drogës e të krimit të organizuar? Atë që katër vite më parë premtoi vepra publike apo këtë të fundit që po i bën rrush e kumbulla paratë e shtetit nëpërmjet koncesioneve me fonde publike.
Më thoni cilën pra: këtë që institucionet po i kthen në kaos me shartime kuturu? Apo po këtë tjetrën, ku Qeveria në vend të merret me punët e vendit, e shkon gjithë kohën duke u marrë me opozitën? Më thoni ju se ç’është kjo Rilindje? Mos vallë kjo që është kthyer në institucion bamirësie, me kryeministrin babagjysh apo në rolin e Zeqo Pilafit, që i shëronte njerëzit me magji, në vend që të marrë përsipër detyrimin e shtetit për t’i shërbyer njëlloj të gjithë qytetarëve? Cilën, cilën pra? Këtë që po i largon masivisht shqiptarët, duke iu ngjitur nofkën e azilkërkuesit dhe rininë po e bën të pashpresë?
Përse duhet ta besojmë më? Që po pasuron oligarkët, ku 90% e popullsisë kanë 0,6% rritje konsumi, kurse 10% kanë rritje mbi 14%? Atë që katër vite më parë u premtoi 3% e PBB-së vetëm për arsimin parauniversitar dhe këtë vit, paturpësisht, miratoi vetëm 1,73% të PBB-së? Këtë që rri duarkryq, ndonëse sipas vlerësimit të Piza-s ne jemi vendi i fundit në Evropë për nivelin e ulët në matematikë e lexim?
Apo për atë që mbi 65 mijë nxënës kanë braktisur shkollën? Apo atë që prej tri vitesh nuk janë nxjerrë aktet nënligjore të Ligjit të Arsimit të Lartë, duke i futur universitetet në kolaps? Apo këtë që Vetingun e shkeli me të dyja këmbët me zgjedhjen jokushtetuese të prokurorit? Në fakt, lista s’ka të sosur. Ushtria që fikte radarët për të lejuar gomonet, apo ajo e shëndetësisë falas?
Apo bllokimi i investimeve të huaja, e rënia ekonomike me 3,9% trimestrin e katërt, ku Banka e Shqipërisë shprehet se ka rënie të besimit te biznesi dhe konsumatori? Sigurisht, ka një gjësend që ka rilindur dhe që shqiptarët i ka kapluar e i ka hutuar për çastin: është makineria e sloganeve si: Shqipëria që duam; mësues i generatës tjetër; shkolla qendër komunitare; shëndetësia falas, çeku 1 miliardësh, e plot të tjera fasada bashkë me cirkun e qeverisë shëtitëse.
Cirk me fatin e shqiptarëve: hop aty hop këtu, ku jemi, asgjëkundi. Varfëria po thellohet. Shqipëria po zbrazet. Oligarkët janë turrur për ta shqyer. O njerëz, nuk kalohet mandati as me të dalë e as me të parë televizor. O njerëz merreni në dorë fatin tuaj! Politika duhet të vijë pas jush e jo ju pas saj.
Mos shani opozitën, se opozita fjalën e lirë ka, po edhe atë nën trysninë e largimit nga puna apo ndëshkimeve të tjera të padrejta. Merruni me qeverinë, se ajo ka “tepsinë” prej së cilës varet mirëqenia juaj.
*Deputetet i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Postimi është marrë nga faqja e facebook-ut të deputetit
KOHA JONË SONDAZH

