Cili ministër e ka radhën te Prokuroria?

Rasti i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri tashmë vijon të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por ende pa u çuar në gjykatë dosja “Tahiri”, po nga Prokuroria për Krime të Rënda po hetohen dy zyrtarë të tjerë të lartë. Bëhet fjalë për një ish-ministër dhe një ministër aktual. Hetimi ndaj tyre zhvillohet për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”.

Nga burime shumë të sigurta mësohet se “të djegur” nga zhurma rreth dosjes “Tahiri-Habilaj”, prokurorët këtë radhë po e dokumentojnë dosjen për ish-ministrin dhe një ministër aktual. Duke qenë se kritika kryesore që ju bë Prokurorisë në rastin “Tahiri” ishte nxitimi në hartimin e akuzave dhe mungesa e provave, këtë herë prokurorët po “kopsitin” dokumentacionin nga pikëpamja ligjore. Ata janë duke finalizuar dosjen me shumë dokumente e dëshmitarë të abuzimeve. Burimet thonë se në dosje janë dhe dëshmi kyçe të personave të penduar. Pritet që akuzat e Prokurorisë, pa kaluar viti, të dërgohen në Kuvend bashkë me kërkesën për arrestim të dy funksionarëve të lartë, pasi të dy kanë qëlluar të jenë edhe deputetë.

Burimet tregojnë se për të dy zyrtarët e larë është arritur në konkluzionin se duhen arrestuar dhe se këtë kërkesë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk do ta kundërshtojë. Për shkak të sekretit hetimor, burime thonë se Prokuroria ka vepruar në mënyrë shumë të rezervuar për të mos u publikuar detaje që identifikojnë emrat e zyrtarëve që po verifikohen dhe për të cilët po mblidhen prova dhe fakte.

Nga politikanë të rëndësishëm këto ditë është folur shpesh për dosje të reja që do të “plasin” në opinion ku do të faktohen abuzimet e qeverisë “Rama”. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha dje në mënyrë jo të rastësishme se “dosja “Tahiri” është vetëm fillimi i çmontimit të shtetit abuziv të ngritur nga Edi Rama”. Jo pak herë Basha ka folur për fakte të tjera skandaloze për ministrat e kabinetit “Rama”. Ndërkohë që edhe nga zyrtarë të rëndësishëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë paralajmërua për dosje dhe skandale të reja qeveritare të ministrave të Edi Rama.

Nëse denoncimet nga politikanët gjithmonë paragjykohen, ekzistenca e këtyre dosjeve dhe hetimeve është konfirmuar edhe nga mediat dhe gazetarët me peshë në opinionit publik. Gazetarë të rëndësishëm në vend kanë folur me konkretisht për dokumente dhe skandale që u përkasin ministrave.

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu prej disa javësh ka paralajmëruar në emisionin që drejton se ndërkombëtarët u kanë dhënë gazetarëve disa fakte dhe dosje për qeveritarët. Jo pak herë, Fevizu ka theksuar se shërbimet sekrete të ambasadave të rëndësishme në Tiranë kanë grumbulluar fakte, dokumente, video, telefonave dhe prova që faktojnë përfshirjen e qeveritarëve në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Më konkretisht, për këtë çështje Fevziu foli në Forumet e Universitetit Europian të Tiranës, ku përmendi se ka parë personalisht foto dhe përgjime për ministrat e Edi Ramës. Fevizu flet se këto materiale komprometojnë një kryebashkiak dhe dy ministra. Një ministër implikohet direkt, ndërsa tjetri me anë të bisedave të përgjuara të familjarëve të tij. “…Kam folur për një foto të një kryebashkiaku, foto të një ministri të qeverisë me pjesëtarë të familjes Habilaj, foto të cilën e kam parë vetë, por nuk kam pasur mundësi ta publikoj sepse personat që e kanë në dispozicion nuk kanë vendosur akoma ta publikojnë. Por nuk mund të them për përgjegjësinë e ministrit në fjalë, sepse duhet parë në çfarë rrethanash kanë qenë. Fotoja është bërë në grup, një drekë apo darkë elektorale, në një restorant të Vlorës. Kjo edhe mund të publikohet, siç mund të publikohen përgjimet e një të afërmi të një ministri që janë parë dhe dëgjuar nga një numër i madh gazetarësh. Ka një të vërtetë që fotoja e ministrit është marrë nga filmime nga kamerat e sigurisë së restorantit”,- tha Fevziu. Edhe gazetarë të tjerë pranojnë ekzistencën e materialeve komprometuese.

Nuk dihet nëse materialet që qarkullojnë janë nga shërbimet sekretë të huaja, janë për të njëjtit ministra që po hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Megjithatë brenda radhëve të mazhorancës këto çështje kanë kohë që po shkaktojnë tronditje dhe “dhimbje koke” . Me sa duket edhe në selinë rozë janë bërë gati për ta dorëzuar njërin prej dy emrave që prokuroria do të kërkojë arrestimin. Edi Rama ka informacionin për ish-ministrin, thotë burimi, por nuk e di se cili prej ministrave do të arrestohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

 

SHKARKO APP