Çollaku: Berisha është në vështirësi, duhet bllokim mandatesh në shtator. Bie farsa e zgjedhjeve nëse ndodh ndryshe
Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku thotë se janë në situatë tepër të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Për të pas ekspozimit të farsës elektorale, është jetike për fatin e opozitës dhe shoqërisë shqiptare që të fillojë një debat i shëndetshëm. Do të shkojë opozita në Parlament dhe të fillojnë jetën normale? Deputeti nënvizon se nëse ndodh kjo, i bie që beteja për farsën elektorale kthehet në vetvete një farsë.
”Nëse do të shkojnë në Parlament, teza e farsës bie. Nuk do të isha për një refuzim të mandateve, por bllokim të mandateve. Pra do t’i kërkoja të shkojnë vetëm 8 herë në Kuvend. Të shkojnë ditën e parë, të marrin mandatin, të shkojnë pas 6 muajsh që të mos e djegin dhe të paraqiten çdo 6 muaj për të mos e djegur mandatin. Mendoj që është e vetmja gjë proporcionale me situatën”,-tha në ”A2cnn”. Sipas Çollakut situata e krijuar nuk ia bën të lehtë punën kryetarit të PD.
”Zoti Berisha është në vështirësi të madhe me situatën që është krijuar. Është thuajse aktori i vetëm, prodhuesi i një kontingjenti jo të vogël votash që mori PD, rreth 500 mijë vota. Mendoj që ai më shumë se çdo tjetër po vuan konfliktet e brendshme në PD, ku partia mbeti e përçarë, sidomos në bazë.
Berisha është në mes të këtij ngërçi, midis njerëzve që nuk kanë synim as dashurinë për Berishën, por karrierat e tyre, rrogat parlamentare, përfituan në mënyrë brilante nga kjo tollovi, dhe sot nuk janë të interesuar për të vazhduar status quo-në. Është jetike që këto procese të ndodhin. Ka nevojë të ulemi, në Kuvend apo Foltore, në mënyrë urgjente të ndërrojmë status quo-në e PD. Dhe këtu ka rol zoti Berisha.
Ka pasur momente që më është dukur se i vetmi që ka dashur bashkimin e demokratëve. Këta që thonë të iki Berisha, nuk janë të sinqertë. Nuk e di si do e zgjidhi statutin. Por Berisha si faktor politik, është vendimtar. Një njeri që mbledh i vetmi 400-500 mijë vota, nuk mund t’i thuhet “ik ti se do të vijmë ne”. Por vetëm me këto vota nuk vihet në pushtet. Duhen edhe një herë kaq”.
KOHA JONË SONDAZH

