Dade denoncon skandalin e konsulles shqiptare
Javën që shkoi, Arta Dade akuzoi ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin se Konsullja e Përgjithshme në Selanik është caktuar jashtë çdo kriteri diplomatik, raporton Panorama. Nga ikonë e sportit shqiptar, Pavlina Evro Ylli u kthye në një shembull të keq të emërimeve politike në diplomaci.
Ajo prej vitesh jeton në Greqi, ku sipas dokumenteve të publikuara në media online nga gazetari Arben Llalla, rezulton se ka marrë edhe statusin e minoritares, ndonëse është me origjinë nga Korça.
Dikur krenari e atletikës shqiptare, Pavlina Evro Ylli u emërua nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, si konsulle e përgjithshme e Shqipërisë në Selanik.
Një post shumë i rëndësishëm në diplomacinë shqiptare ndonëse Pavlina Evro Ylli nuk ka asnjë ditë eksperiencë në fushën e diplomacisë.
Emërimi i saj si konsulle e përgjithshme në Selanik duket se është bërë në shkelje të ligjit aktual, pasi kuota prej 20% e emërimeve politike rezulton e tejkaluar ndjeshëm prej kohësh. Kjo detyron Ministrinë e Jashtme që të gjitha emërimet e tjera t’i bëjë nga radhët e diplomatëve të karrierës.
Por Ministria e Jashtme duket se ka vazhduar me emërimet polike në diplomaci, sic tregon rasti i Pavlina Evro Yllit, pavarësisht se kuota e shkelur ligjore ja ndalonte, duke harruar se për këtë, drejtuesi i dikasterit, Ditmir Bushati, kur ishte në opozitë, ankohej e akuzonte pafund ish-qeverinë.
Me ligjin e ri të shërbimit të jashtëm, që u miratua me votat e mazhorancës në Parlament, Bushati ia hoqi vetes këtë siklet, duke marrë të drejtën të emërojë në diplomaci sipas dëshirës të gjitha pavlinat politike, ku të dëshirojë./ABC