Debate e përplasje në komisionin hetimor për sistemin TIMS
Komisioni hetimor për të dhënat e sistemit ‘TIMS’ është zhvilluar me debate ndërmjet kryetarit të komisionit Ervin Salianjit dhe nënkryetarit Toni Gogu. Ndërkohë nuk ka munguar as ironia e deputetes Blerina Gjylameti.
“Mos hajdeni një ditë me mendjen tuaj, një ditë me mendjen e dikujt tjetër se e paralajmërova, të mbetemi në objektin që ka ky Komision Hetimor. Ka një thirrje për institucionet, sidomos për Policinë që të mos ketë guxim askush të falsifikojë proces-verbale, protokolle apo akte të tjera që do jenë objekt i veprimtarisë së këtij Komisioni Hetimor. Ne kemi informacione të verifikuara për ato që themi, do të jemi të gjithë bashkë për të provuar ose jo ato që themi. Unë besoj se një kontribut do ketë edhe nga PS, se dihet se kanë shumë xhan reformën në drejtësi dhe zbatimin e ligjit”, tha Salianji.
“Është në nderin e këtij komisioni dhe të integritetit tuaj që ne të qëndrojmë në shinat e ligjit. Planin e hetimit në zbatim të ligjit e propozojnë ekspertët. Natyrisht që edhe ne kemi të drejtë të propozojmë thirrje dëshmitarësh. Unë e kuptoj që juve në ëndrrën tuaj doni të bëheni gjyqtar i Berishës, mbase doni të t’i jepni edhe pafajësi, por ky komision nuk e ka në veprimtari këtë gjë. Nuk është misioni ynë të nxjerrim nga mjedise kolegët tanë ku vuajnë masa që cakton drejtësia. Mos ta kthejmë këtë komision në qesharak”, deklaroi Toni Gogu.
“Ky komision është ngritur vetëm për hakërrimin e sistemit TIMS. Jo për të hetuar kryeministrin apo ministra. Ironinë mos e shit si shpëtimtar dhe kalorës të pafajësisë. Duhet të kuptojmë se cilët janë përgjegjës për prekjen e sistemit TIMS. Duhet të vijë nga plani i hetimit. Nëse keni për të thirrur dëshmitarë, thirrini. Ju thatë se mund të thërrisni dhe Mehmet Shehun dhe Koci Xoxen. Pse s’i vutë emrat atje? Ironia është e njëjtë. Si thirren dëshmitarët!”, tha Gjylameti.
KOHA JONË SONDAZH

