Debati për mandatin e Olta Xhaçkës. PD flet për rikthim të kaosit në Kuvend, PS nuk ndryshon qëndrim

Çështja për mandatin e Olta Xhaçkës, vijon të jetë kryefjalë e diskursit politik në Kuvend. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, opozita paralajmëroi një qëndrim më radikal, duke krijuar idenë se kohët e mosbindjes parlamentare mund të rikthehen. Forca e kartonit të socialistëve mund të rikthejë kaosin në Kuvend.

“Votimin e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese. Po e përsëris, po minoni bashkëjetesën me opozitën. Opozita i është drejtuar Drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet e saj”,-tha Gazment Bardhi

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, socialistët vijuan t’i qëndronin idesë se zgjidhen e këtij konflikti do ta japë Komisioni i Venecias i cili do të këshillojë mazhorancën nëse vullneti i lirë i deputetëve për të votuar mund të tejkalojë detyrimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”,-tha Niko Peleshi

SHKARKO APP