”Defender Europe 21”, Rama: Moment historik, pikë e rëndësishme në marrëdhëniet me NATO-n

Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes ushtarake ”Defender Europe 21”, në fjalën e tij kryeministri Edi Rama e ka quajtur një moment historik për marrëdhëniet me NATO-n. Kreu i qeverisë u shpreh se ky është një moment historik që na mbush me krenari, por dhe me përgjegjësi.

”Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër se sa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe demonstrimit të kapaciteteve tona, sepse besoj që kjo stërvitje është dhe një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë. Ne vazhdimisht i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera, por fakti është se ato mund të jenë gjithmonë e më të shkëlqyera falë një besimi të madh dhe një ndërveprimi reciprok të vazhdueshëm.

Gjenerata jonë në gjysmën e jetës u rrit me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrë të shkelnit në këtë vend dhe ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar, me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë mbarë botës, dhe realisht për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve, të asaj bote të errët e të izoluar, dhe kësaj bote ku ne mund të mirëpresim me shumë krenari dhe shumë respekt miqtë dhe partnerët të shumtë, dhe mbi të gjitha miqtë amerikanë.

Dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri dhe juve do t’u ndodhë ajo që iu ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri, që do të doni të riktheheni sërish në Shqipëri. E fundit që dua të them është se besoj që ajo ka që ne të gjithë së bashku duhet të mbajmë parasysh është detyrimi për t’ju përcjellë gjeneratave të reja, këtë amanet kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, por dhe të botës së madhe të popujve që duan të jetojnë në liri dhe demokraci.

Amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike për lirinë dhe demokracinë, duke u investuar së bashku që të bëjmë edhe më shumë për brezin e ri në të gjithë aspektet dhe t’u japim mundësinë që të edukohet qysh në krye të herës me parimet dhe standardet shumë të larta të forcave të armatosura të NATO-s.

Është vërtetë një moment historik, që na mbush me krenari, por dhe me përgjegjësi. Do të qëndrojmë krahë jush si një vend që nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë aleancë unikale për botën, ne dëshirojmë të jemi gjithnjë e më të denjë e më të vyer brenda kësaj aleance. Stërvitje unikale për gjithë historinë e marrëdhënieve tona, që shpresoj se do të pasohet nga të tjera, për t’i dhënë gjithë rajonit një mesazh të qartë”, u shpreh Rama.

SHKARKO APP