Dekorimi nga Princi pas një misioni të gjatë, Ekrem Spahiu: Shqiptarët e duan Mbretërinë jo thjesht për të shkuarën, por edhe për të ardhmen

Intervistoi: Redjon Shtylla

Me rastin e 126 vjetorit të lindjes së Mbretit Zog I, Princi i kurorës së Familjes Mbretërore, vlerësoi dhe dekoroi ish-kreun e partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiun me ”Urdhërin Mbretëror të Skënderbeut”. Në një intervistë për ”Koha Jonë”, Spahiu tregon më shumë për këtë vlerësim, të cilin e quan përmbushje të një misioni të gjatë, të vështirë, por të suksesshëm. ”Ka qenë një proces i vështirë dhe i shtrirë në vite, por i suksesshëm. U vendosen monumente, shtatore dhe buste të Mbretit Zog, si dhe t’u jepej emri i Mbretit Zog I, Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe pjestarëve të tjerë të Familjes Mbretërore, disa shesheve, bulevardeve, parqeve, shkollave dhe institucioneve të rëndësishme të vendit”,-thotë ndër të tjera Ekrem Spahiu.

Pjesa e parë e intervistës

Z.Spahiu, sapo jeni vlerësuar me dekoratën “Komandar të Urdhënit të Skëndërbeut”, dhënë disa ditë më parë nga Princ Leka. Për Ju ky vlerësim nuk vjen thjeshtë për shkak të bindjeve, por edhe të përkushtimit të punës tuaj ndaj Mbretërisë Shqiptare? Pse pikërisht ky dekorim u dha sot?

Duke u nisur edhe nga origjina politike e familjes time, jam bërë pjesë e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” që në momentin që u lejua veprimtaria e saj politike në Shqipëri. Legaliteti është një parti mbretërore dhe natyrshëm ka mbështetur me devotshmëri Mbretërinë Shqiptare dhe gjithë rrugëtimin politik të Mbretit Zog, Mbretit Leka dhe në tërësi të Familjes Mbretërore.

Nga 12 prilli 1998, që jam zgjedhur kryetar i PLL e në vazhdim, ndër prioritetet kryesore të punës tonë, ka qenë procesi sistematik lobues e sensibilizues, për të promovuar, vlerësuar, lartësuar dhe monumentalizuar gjithë veprimtarinë e Mbreti Zog, të Familjes Mbretërore, Mbretërisë Shqiptare dhe të kauzës mbretërore. Angazhimi im për këtë kauzë ka vazhduar intensivisht edhe pas nëntorit 2013, ku e kam lënë detyrën e kryetarit të partisë, por në një mënyrë tjetër, atë të studimeve dhe shkrimeve në media.

Për fundin e pyetjes, pse pikërisht ky dekorim u dha sot? Vlerësimi dhe dekorimi u bë me rastin e 126 vjetorit të lindjes së Mbretit Zog I dhe për modesti e etikë po i referohem motivacionit:

“Për përkushtimin e paçmuar kundrejt Familjes Mbretërore, trashëgimisë monarkike dhe figurës së Mbretit Zog, të shprehur përmes një veprimtarie të gjatë dhe efektive në rrafshin politik, publicistik dhe shtetëror, si edhe duke kontribuar në mënyrë të pandërprerë në rehabilitimin, përkujtimin dhe integrimin e kategorive shoqërore, që padrejtësisht janë ndëshkuar për besimin e tyre në idealin mbretëror dhe në institucionet monarkike”.

Përsëri gjej rastin, që të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Princit Leka për vlerësimin dhe dekorimin, por këtë dekoratë sigurisht ua dedikoj të gjithë drejtuesëve kryesor ndër vite të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbarë legalistëve për rezultatet e arritura.

A mund të na e përmblidhni gjithë veprimtarinë tuaj që çuan në dekorimin tuaj me këtë titull të lartë, në një kohë që dekorimet janë bërë pak klishe në vend? A ndiheni të përmbushur me punën tuaj ndaj Mbretërisë si udhëheqës i Partisë së Legalitetit dhe mund të rendisni disa prej këtyre arritjeve që kanë të bëjnë veç me Familjen Mbretërore?

Realisht, dekorimet në realitetin e sotëm shqiptarë e kanë humbur rëndësinë për vlerësimet e të dekuruarëve, por duhet theksuar se dekorata “Urdhëni i  Skëndërbeut” është Urdhëri më i vjetër kronologjikisht në Shqipëri, ku Mbreti Zog, Mbreti Leka I dhe Princ Leka e kanë dhënë shumë rrallë.

Ndërsa për arritjet, mund të them se ka qenë një proces i vështirë dhe i shtrirë në vite, por i suksesshëm. U vendosën monumente, shtatore dhe buste të Mbretit Zog, si dhe t’u jepej emri i Mbretit Zog I, Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe pjestarëve të tjerë të Familjes Mbretërore, disa shesheve, bulevardeve, parqeve, shkollave dhe institucioneve të rëndësishme të vendit, si më poshtë:

Me Vendimin Nr.60, datë 21.04.2000, Këshilli Bashkiak Tiranë, vendosi emrin  Bulevardi Zog I” në Tiranë. Ceremonia e inagurimit u zhvillua me datë 24.06.2000. Këshilli i Rrethit Shkodër, me Vendimin Nr.18, datë 05.07.2000, vendosi që Bulevardi kryesor në Shkodër të emertohet “Bulevardi Zog I-rë”.

Vendim i Këshillit Bashkiak të Burrelit për vendosjen e emrit në sheshin kryesor të Burrelit, Sheshi “Mbreti Zog I dhe vendosjen e monumentit të Mbretit Zog në këtë shesh. Këshilli i Rrethit Shkodër, me Vendimin Nr.18, datë 05.07.2000, vendosi që Bulevardi kryesor në Shkodër të emertohet “Bulevardi Zog I-rë”.

Me Urdhërin Nr. 535, datë 08.12.2004, Ministri i Shëndetësisë z. Leonard Solis vendosi vënien e emrit të Maternitetit: Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik, “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë.  Ceremonia e inagurimit u zhvillua me 28.01.2005. Këshilli i Bashkisë Kukës, mori Vendimin për vendosjen e emrit të një rruge kryesore në Kukës, Rruga “Zogu I”.

Këshilli i Bashkisë Elbasan, ka emërtuar dy rrugë, njëra me emrin Rruga “Zogu I” që është më e gjata në qytetin e Elbasanit dhe tjetra “Rruga Mbretërore”. Gjithashtu, po në Elbasan është miratuar edhe Sheshi “Mbretëresha Geraldinë”,  para “Kinama Vullnetari”.

Më 26.09.2012, u inagurua Shkolla 9-vjeçare “Ahmet Zogu” në Kamëz. Më 24 dhjetor 2012, (me rastin e 88 vjetorit të “Triumfit të Legalitetit”) u vendos monumenti i Mbretit Zog I, pikërisht në Bulevardin që mban emrin e tij. Paralelisht, Partia “Lëvizja e Legalitetit” zhvilloi një lobim të fuqishëm me të gjitha subjektet politike në Shqipëri, për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe.

Në mbështetje të këtij procesi është bërë:

Më 4 qershor 1998, është firmosur nga të gjithë kryetarët e partive opozitare parlamentare dhe jo parlamentare kthimi i Mbretit Leka I në atdhe dhe përsëritja e referendumit për formën e regjimit.

Të gjitha seancat gjyqësore ndaj Mbretit Leka I, për ngjarjet e 3 korrikut 1997, janë ndjekur masivisht nga legalistët deri në mbylljen e procesit gjyqësor politik. Me nismën e grupit Parlamentar të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, u arrit që Kryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, më 17 qershor 2002, të firmosin kërkesën për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe.

Kërkesa për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe u shoqërua me marrjen e 74 firmave të deputetëve të të gjithë spektrit politik (52.9 % nga 140 deputet që kishte Kuvendi). Më 28 qershor 2002, u realizua kthimi i Familjes Mbretërore në atdhe nëpëmjet një pritje madhështore.

Në përfundim të këtij procesi, pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës, kthimi i Familjes Mbretërore në atdhe u realizua me të gjitha nderimet e duhura, duke institucionalizuar kështu detyrimin e shtetit shqiptar për të njohur dhe vlerësuar kontributet e jashtëzakonshme që Mbreti Zog kishte dhënë për shtetin, popullin dhe kombin shqiptar.

Ky proces politik dhe historik, u shoqërua me një veprimtari të gjerë akademike për ndriçimin mbarëkombëtar të veprës së Mbretit Zog. Me rastin e 80 vjetorit të Shpalljes së Mbretërisë Shqiptare, me 1 shtator 2008, katër institucione të rëndësishme: Ministria e Kulturës, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë dhe Muzeu Historik Kombëtar, organizuan dhe zhvilluan Konferëncën Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Monarkia Shqiptare 1928-1939”. Kjo Konferencë u mbajt në mjediset e Hotel “Sheraton”.

Të gjithë referuesit në këtë Konferencë ishin studiusë dhe historianë të shquar me titujt shkencorë “Profesor Doktor”, nga SHBA, Anglia, Franca, Italia dhe Shqipëria. Kjo Konferencë e përmasave të tilla është e para dhe e vetmja e këtij lloji që nga shpallja e mbretërisë. Materialet e saj studimore e shkencore janë përmbledhur dhe botuar në librin  “Monarkia Shqiptare 1928-1939”. Ndërkohë, po me këtë rast, në hollin e madh të Muzeut Historik Kombëtar, u hap një ekspozitë kushtuar Familjes Mbretërore Shqiptare.

Me protokoll shtetëror, sipas nivelit dinjitar përkatës dhe me pjesmarrje mbarëkombëtare, janë zhvilluar tre ceremoni mortore shumë dinjitoze: për Nënën Mbretëreshë Geraldinë, për Mbretëreshën Suzan dhe për Mbretin Leka. Këto ceremomi kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme te autoritetet e larta politike të të gjithë hapësirës shqiptare dhe te mbarë shqiptarët e ardhur nga të gjitha trevat etnike në këto ceremoni lamtumire.

Në kuadrin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, nëpërmjet një ceremonie madhështore shtetërore, u realizua kthimi i eshtrave të Mbretit Zog I, pikërisht më datë 17 nëntor 2012, një datë kjo, e zgjedhur me shumë domethënie. Aktualisht, eshtrat e Mbretit Zog I dhe pjestarëve të tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare, prehen në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare, i cili u ndërtua me financimin e qeverisë në tetor 2012.

Intervista vijon…

SHKARKO APP