Dekriminalizimi, ja ç’parashikon drafti i PD-së
“Dekriminalizimi i institucioneve publike, nëpërmjet ndalimit të ushtrimit, zgjedhjes apo emërimit në funksione publike të personave me rekorde kriminale”, është projektligji i propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe i depozituar për shqyrtim në parlament, pak ditë më parë.
I organizuar në 17 nene drafti synon dekriminalizimin e organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura dhe administratës publike, si dhe mbrojtjen në të ardhmen të funksionimit demokratik e ligjor të tyre, përmes largimit nga funksioni publik, apo pengimi i zgjedhjes ose emërimit në to, i personave me rekorde kriminale dhe/ose përdoruesve të substancave narkotike.
Pr/ligji, po ashtu, ka për objekt mbrojtjen e integritetit dhe mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, forcave të armatosura, organeve të rendit publik dhe çdo insitucioni tjetër, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje, i personave të cilët kanë kryer apo kanë tentuar të kryejnë vepra penale dhe/ose janë përdorues të substancave narkotike, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Neni 2 i pr/ligjit përcakton kushtet për kandidim dhe për t’u zgjedhur në funksione publike. Kështu, nuk mund të kandidojnë dhe as nuk mund të zgjidhen deputetë të Kuvendit, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo të anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me dy vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 tëKodit Penal;
b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.
c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat”a”dhe “b” të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
Neni 3 parashikon kushtet për t’u emëruar në funksione publike. Kështu, për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike si më poshtë:
a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të;
c) në postin e prefektit;
ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj
d) në Shërbimin Informativ Shtetëror;
dh) në shërbimin civil;
Nisma ligjore e demokratëve përcakton dhe periudhën e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar; vetëdeklarimin e rekordeve penale dhe verifikimin e të dhënave, etj .
Neni 10 parashikon veprimet e KQZ-së në rastet kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, ndërsa neni 13 përfshin verifikimin e kushteve për mosushtrim të funksionit publik të emëruar.
KOHA JONË SONDAZH

