Del nga burgu dhe bëhet çam!
Me ish kryetarin e LSI-së në Elbasan ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, që mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Burgu e ka shndërruar nga një militant të flaktë të LSI-së, në një njeri të përkushtuar për zgjidhjen e çështjes çame. Bëhet fjalë për Pjerin Xhuvanin, ish drejtorin rajonal të Fondit të Rimbursimit të Ilaçeve, i akuzuar për skandalin e barnave të rimbursueshme.
Bashkë me 8 persona të tjerë, ai ishte në krye të një skeme mashtrimi me receta dhe vula fiktive që rezultoi në vjedhjen e rreth 56 milion lekëve të reja.

Ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani ishte në krye të skemës por, në korrik të vitit të kaluar doli nga burgu, për t’u përfshirë në strukturat e PDIU.

Siç duket nga fotot e publikuara nga Panorama, para burgut i bënte mbledhjet me Ilir Metën, pas burgut me Shpëtim Idrizin. Marrëdhënia mes LSI dhe PDIU është në ngërç. Të dyja forcat politike janë në një garë të heshtur, por të ethshme për pushtet, që kur PDIU nisi të fuqizohet brenda koalicionit me përkrahjen e Edi Ramës. Dalja nga burgu dhe konvertimi në çam i Pjerin Xhuvanit është provë se fuqizimi i PDIU nuk është rastësi.

KOHA JONË SONDAZH

