Denoncimi i oficerit Nuhu, Këlliçi: Opozita të mos shkelë më në atë parlament
Kreu i të rinjve të PD apel Bashës të radikalizojë qëndrimin pas denoncimeve ndaj Taulant Ballës dhe Rrahman Rahjes
Intervistoi: Jonida Halili
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një situatë emergjente, “pasi krimi ka marrë në dorë shtetin, policia është dorëzuar para tij sepse drejtues të qeverisë dhe policisë janë vënë në shërbim të kriminelëve”.
Opozita ka bojkotuar për të disatën herë seancën e Kuvendit, duke zhvilluar mbledhjet në qytete të ndryshme. Cili është qëllimi i këtyre takimeve?
Shqipëria ndodhet në një situatë emergjente. Krimi ka marrë në dorë shtetin. Policia është dorëzuar para tij sepse drejtues të qeverisë dhe policisë janë vënë në shërbim të kriminelëve. Qendrat e qyteteve janë shndërruar në arena hakmarrjesh, vrasje, rrëmbime, tritol, djegie makinash e rasti më i fundit ishte ai i përdhunimit dhe dhunimit sistematik të një vajze jetime nga i biri i një deputeti të PS. Ky është realiteti i qyteteve sot. E patë çfarë ndodhi në Shkodër? Policia u detyrua të reagojë vetëm pasi foli Lulzim Basha. Përse nuk reagoi policia? Sepse siç u faktua tashmë, ata që bënin ligjin në Shkodër dhe siguronin vota për PS, ishin miqtë e Ditmir Bushatit. Kemi gjithashtu Jurges Cyrben, deputetin që ndihmonte dhe mbështeste Shullazët në grabitje pronash. Për të ardhur tek Fatmir Xhafa, vëllai i një trafikanti të dënuar nga gjykata italiane, i cili përtej çdo standardi perëndimor sot është ministër i brendshëm i Shqipërisë. Ky është realiteti ynë i sotëm i cili është në kufijtë e të pabesueshmes. E çfarë mund dhe duhet të bëjë opozita në atë parlament? Të jetë notere e vjedhjes me ligj special siç po ndodh me teatrin, apo të shndërrohet në fasadë të një normaliteti absurd politik në vend?! Mendimi im personal është që opozita nuk duhet të shkelë më në atë parlament që ditë për ditë shkel kushtetutën dhe ligjet e vendit e është kokë e këmbë ilegjitim. Kjo është dhe arsyeja pse mazhoranca e asgjësoi gjykatën kushtetuese, që të vjedhë rehat pa asnjë problem, pasi edhe prokurorinë e ka tashmë tërësisht në dispozicion t’i mbyllë dosjet.
Opozita pretendon që të ikë Edi Rama dhe të realizohen zgjedhjet, po nëse kryeministri nuk pranon, çfarë do bëjë opozita?
Që me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, nuk besoj se ka askush më të voglin dyshim në këtë vend. Është faktuar disa herë ky fenomen. Tani janë të qartë dhe partnerët ndërkombëtarë që ndoshta ishin ende skeptikë për këtë gjë. Zgjedhjet e 2017 i vunë kapak këtij fakti dhe e vërtetuan katërcipërisht vjedhjen e Ramës, ku dhe një sondazh i OSBE ODIHR faktoi se minimumi 20% e qytetarëve, kishin deklaruar se vota ju ishte blerë! Nisma e opozitës për vetting politik mendoj se është hapi i parë i domosdoshëm dhe jetik për vendin dhe të ardhmen. Pa shkëputur njëherë e mirë lidhjet e politikës me krimin, nuk mund të pretendosh për standarde demokratike, e aq më pak për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryetari i PD e ka bërë të qartë këtë fakt. Një qeveri pa Edi Ramën, për të përgatitur zgjedhje të përgjithshme dhe vendore mendoj do te ishte e vetmja zgjidhje. Socialistët kanë mjaftueshëm personalitete të pa lidhura me krimin për të drejtuar qeverinë.
Ish- ministri i Drejtësisë, një nga zyrtarët më të lartë të LSI, Ylli Manjani ka hedhur idenë e një bojkoti përfundimtar. Ju ç’mendim keni?
Opozita, PD krahas denoncimit me fakte ditë për ditë, të lidhjeve të politikës me krimin, të korrupsionit, abuzimin, grabitjes së pronave publike për interes të biznesmenëve të caktuar të lidhur ngushtësisht me qeverinë, ka paraqitur dhe alternativën e saj. Kemi dy nga nismat më të rëndësishme në këto 28 vite sistem demokratik, sepse jemi në ditët më të zeza ku krimi dhe korrupsioni ka pushtuar shtetin. Vetting në politikë dhe platformë kundër kurrupsionit dhe oligarkisë si pjesë e ligjit antimafia. E para, synon shkëputjen e lidhjes së politikës nga krimi dhe e dyta sekuestrimin e parave që i janë marrë në mënyrë korruptive qytetarëve nga biznesi dhe zyrtarë të korruptuar. Opozita ka shtruar para qytetarëve zgjidhje konkrete për situatën dramatike në të cilën ndodhemi. Unë besoj se opozita është në diskutim dhe koordinim të çdo vendimi dhe veprimi që u shërben qytetarëve, interesit publik dhe të ardhmes së tyre. Bojkot, djegie mandatesh e deri tek mbrojtja e demokracisë me të gjitha format dhe mjetet e mundshme, gjithçka do te ishte legjitime dhe e pranueshme për t’i dhënë zgjidhje situatës absurde në të cilën ndodhemi.
Sistemi i Drejtësisë është në ngërç por paralelisht me këtë proces opozita kërkon edhe Vetting-un në politikë. E pengon kjo procesin e Reformës në Drejtësi?
Absolutisht Jo. Janë procese që nuk pengojnë njëra tjetrën, vetëm sa mund të ndihmojnë dhe plotësojnë në një reformë të plotë e të gjithanshme në Drejtësi. Drejtësia e vërtetë i çon në burg politikanët e lidhur me krimin, vettingu i largon nga politika dhe nëse nuk përben vepër penale. Trajtim special për politikanët nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë më! Ky shtet do mësojë t’i trajtojë të gjithë njëlloj: si policin e thjeshtë, si ministrin e brendshëm! Ky është parimi që kemi në kushtetutë! Ky është parimi i Europës ku duam të bëjmë pjesë! Gjithashtu propozimet tona për vettingun në politikë janë tejet konkrete:
- Do të jetë një proces krejtësisht i pavarur dhe i palidhur e i pandikuar nga vettingu i drejtësisë.
- Do të jetë një model shumë më i thjeshtë dhe i qartë, afër modelit që u përdor për dekriminalizimin.
- Do të kryhet nga një strukturë profesionistësh krejtësisht të pavarur nga politika.
- Nuk mund të jetë kurrsesi një strukturë parlamentare dhe aq më pak një strukture e përbëre nga përfaqësues partiakë: do ishte absurde dhe tallëse të ishte ndryshe. Politikanët do të jenë subjekt i vettingut dhe jo zbatues të vetingut.
- Do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare.
A po konsiderohet si opsion mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale? Nëse shkohet në zgjedhje, si do jetë opozita, e bashkuar apo e ndarë?
PD po përgatitet për zgjedhjet vendore. Krahas zgjedhjeve e riorganizimit të brendshëm, proces tejet normal që ndodh një herë në katër vjet në parti, po evidentohen e shqyrtohen dhe kandidatët për kryetar bashkish dhe këshilla bashkiakë. PD po përgatitet dhe besoj se deri në fund të vitit do të ketë identifikuar kandidatët e saj dhe do të jetë gati për të ndezur motorët e fushatës. Opozita do të jetë e bashkuar në zgjedhje. Do të marrë apo jo pjesë në zgjedhje, mbetet për tu parë hap pas hapi. Por është bindja ime e palëkundur se me Edi Ramën nuk mund të ketë proces demokratik zgjedhor.
Opozita paralajmëroi protesta masive gjatë shtatorit, por deri tani nuk ka ndodhur asgjë, çfarë po ndodh në kampin opozitar?
Në fakt opozita paralajmëroi aksion që nga media u përkthye në protesta. Aksion nuk janë vetëm protestat. Siç e thashë dhe më lartë opozita po shpalos alternative, zgjidhje, po denoncon, po shkon aty ku është problemi, do të ketë një tur diskutimi dhe konsultimi. Natyrisht hap pas hapi do të ezaurohen të gjitha format dhe mjetet demokratike të rezistencës. Shqipëria është në krizë, qytetarët janë futur në depresion nga pasiguria dhe varfëria. Kjo u reflektua dhe në protestën e 26 Majit, ku po mos të ishte ndërhyrja e kryetarit të PD Lulzim Basha, nuk dihej si do te shkonte ajo përplasje dhe çfarë do të ndodhte. Në ndryshim nga Edi Rama që për pushtetin e vet nuk kursen askënd, PD dhe kryetari i saj konsiderojnë dhe vlerësojnë se jeta dhe shëndeti i qytetarëve është prioritar dhe gjithçka është dhe do të jetë në funksion dhe shërbim të qytetarëve.
Po FRPD a ka rol vendimmarrës në organizmin e këtyre takimeve?
Po sigurisht që ka. Në kemi pjesën tonë. Pasi dihet që të rinjtë janë dhe pjesa më e prekur nga keqeverisja e Edi Ramës. U miratua një ligj i arsimit të lartë kaotik dhe që favorizon universitetet private. Rritja e tarifave të studimit ka pamundësuar ndjekjen e studimeve për shumë të rinj me rezultate te larta. Tarifat e edukimit janë rritur nga 6 deri në 10 herë ndërsa varfëria dhe mjerimi janë shtuar. 110 mijë të rinj janë larguar në shifra zyrtare. Mijëra të tjerë janë larguar në 2017, në atë që njihet si emigrimi i heshtur. Ikin por nuk regjistrohen si azilkërkues. Sot 1 në 2 të rinj sheh si të ardhme vetëm emigrimin. Largimi i trurit është një këmbanë alarmi. Mbi 1000 infermiere e 600 mjekë janë larguar nga vendi në vetëm 3 vite. Krahas Partisë dhe FRPD dhe ka një kalendar të reagimit, diskutimit dhe konsultimit mbarë kombëtar me të rinjtë, për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë plagë që po vret ëndrrat dhe shpresat e të rinjve, ku kriminelët janë deputetë e bashkëpunëtorët e tyre ministra! Dekriminalizimi na dha të drejtë, vettingu në politikë ka mbështetjen absolute të çdo të riu që sot s’ka asnjë shpresë e mundësi për të pasur një punë dinjitoze, pavarsisht se është ekselent dhe ka studiuar në universitete më të mira të botës. Shqipëria është në emergjencë kombëtare dhe ne duhet t’i përgjigjemi me masa dhe veprime emergjente!