Deputeti Adriatik Alimadhi, kolegëve të tij: Rama po ju përdor!
Postimi i plotë i deputetit Adriatik Alimadhi në Facebook:
Prandaj ju kryetarët e grupeve parlamentare mos flisni në emër të 39 deputetëve të opozites për këtë takim sepse kërkesa juaj për takim me Edi Ramen është gabim.
Është e njëjta rrugë e ndjekur gabim deri tani e opozitës parlamentare.
E them këtë për hir të së vërtetës sepse këto grupe gjatë kohës në këtë parlament kanë parë gjithmonë interesat e tyre personale qysh nga fillimi dhe deri tani.
Këto grupe u lëshuan për të marrë të gjitha funksionet që ishin bosh në strukturën palamentare dhe u përdorën për këtë qëllim.
Prishja e grupeve me disa deputetë pelivanë, të blerë e të shitur, të cilët dinë ta bëjnë mirë përdorimin e tyre, mbajtja nën kontroll e këtyre individëve dhe krijimi i grupeve parlamentare për orekse të mazhorancës solli mosrealizimin e kërkesës për ndryshim të sistemit zgjedhor dhe mosfunksionimin e mirë të opozitës parlamentare.
Të ndodhur në këto kushte mazhoranca e shfrytëzoi këtë mangësi të opozitës parlamentare.
Po i shikoj sot se po flasin ne emër të 39 deputetëve firmëtarë. Dakord deri këtu për ndryshimet në sistemin zgjedhor, por sot është shumë vonë. Ndaj ftesën për takim me Edi Ramën të mos e bëjnë si kërkesë të 39 deputetëve të opozitës sepse kjo nuk është rruga e duhur.
Qysh nga 25 maji i vitit 2019 ka kaluar një vit, gjatë kësaj kohë në kishim të vetmen mundësi për të prodhuar siguri për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe për ta futur atë në axhendën parlamentare, por ju nuk e realizuat këtë mundësi.
Në një takim të organizuar nga OSBE-OHDIR në shtatorin e vitit të kaluar në fjalën time i kërkova zonjës Hajdari dhe të gjithë kolegëve deputetë të terhiqeshim nga të gjitha strukturat parlamentare, të kushtëzonim mazhorancën për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe futjen në kalendarin e punimeve të kuvendit kërkesën e firmosur të 39 deputetëve.
Kjo realizohej deri me kushtin për tërheqjen e mandateve të deputetit dhe realizimin e kësaj kërkese të drejtë dhe reale, të duhur aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto kohë.
Kur unë kërkoja këtë mundësi ata nuk më degjuan, tani është kofin pas të vjelit.
Aktualisht kësaj opozite parlamentare i ngeli përdorimi dhe nuk mundet ta kushtëzojë sot mazhorancën apo të presë prej saj mbështetjen për ndryshimet për sistemin zgjedhor, nëpërmjet kërkesës për takim me Edi Ramën.
Madje në këtë kohë të mbetur nuk realizohet asgjë, keshtu që mazhoranca realizoi qëllimin e saj duke përdorur për funksionimin e parlamentit opozitën parlamentare.
Kaq i duhej kësaj mazhorance opozita parlamentare. Prandaj kërkesa e tyre për takim me Edi Ramën është një deshtim tjetër i radhës i opozitës parlamentare.
Mos e bëni këtë gabim.