Deputeti i PS/Manja: Votimi elektronik do të shkaktonte kaos elektoral, LSI ka…

Flet për “Koha Jonë”, Ulsi Manja, deputet i PS-së dhe anëtar në Komisionin e Reformës Zgjedhore

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partia Demokratike, kusht për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 18 qershor, ka votimin dhe numërimin elektronik, pasi në të kundërtën, ajo do të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve. Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, gjatë një interviste për “Koha Jonë”, shprehet se, kushti i PD-së, nuk ka një “Jo” të prerë, por ata i kanë thënë jo, aventurës elektorale. Manja, edhe si anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, pohon se, “maxhoranca është e interesuar për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm pasi kjo ka të bëjë më stabilitetin e qeverisjes dhe të ardhmes së vendit pas zgjedhjeve”. Manja nuk mohon se ekziston mundësia e një kaosi elektoral. Duke marrë shembull vendet, të cilat e aplikojnë pjesërisht votimin elektronik, Manja shprehet se,”e kanë testuar në vendet e tyre për një periudhë kohore minimale që shkon deri në 2 vjet”. Deputeti i PS-së, e sheh me optimizëm edhe një mandat të dytë qeverisës. “Qeveria “Rama”, gjatë këtij mandati dhe që patjetër do të konfirmohet me një mandat të dytë pas zgjedhjeve të 18 qershorit 2017”.

z.Manja 2017 ka nisur me deklarata bojkoti nga PD. Shkak është kërkesa e tyre për votim elektronik. Përse PS-ja jep një “JO” të prerë këtij procesi që sjell transparencë?

Personalisht mendoj se si bojkoti ashtu edhe votimi elektronik që kërkon opozita, janë një aventurë politike dhe elektorale. Nëse bojkoti do të ishte një vetëvrasje politike nga e cila ka vetëm një palë të dëmtuar që është opozita, pasi do t’i mohonte vetes 6 muaj para zgjedhjeve një tribunë të rëndësishme të komunikimit të saj me qytetarët siç është Parlamenti, me votimin elektronik në kaq pak kohë që ka mbetur deri më 18 qershor që është edhe data e zgjedhjeve, ekziston mundësia e një kaosi elektoral që do të minonte tërësisht procesin zgjedhor pse jo do ta bënte të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve pasi mund të ndodhemi përpara të papriturave të patestuara ose të pastudiuara më parë përsa i përket përdorimit të teknologjisë në votim. Pra ne nuk i kemi thënë jo të prerë votimit elektronik, por i kemi thënë një jo të prerë aventurës elektorale dhe në gjatësi vale me ne si maxhorancë është edhe ekspertiza e OSCE-ODIHR, të cilët thonë që nuk ka kohë të mjaftueshme në dispozicion për votimin elektronik, pasi 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 18 qershorit. Në një kohë që vende me demokraci të zhvilluar, të cilat e aplikojnë pjesërisht votimin elektronik, e kanë testuar në vendet e tyre për një periudhë kohore minimale që shkon deri në 2 vjet. Në këtë kontekst ne si shumicë nuk i druhemi votimit elektronik por kemi kërkuar që në aspektin ligjor dhe kohor të respektohen të gjitha afatet dhe standardet  e sugjeruara nga OSCE-ODIHR për vendet që e kanë kërkuar një ekspertizë të tillë përfshi edhe Shqipërinë në vitin 2012, dhe procesverbalet e Komisionit të Reformës Zgjedhore në atë kohë dëshmojnë qartësisht shqetësimet tona në lidhje me votimin elektronik. Nëse do të ketë një qasje drejt votimit elektronik që gjithsesi duhet të jetë pjesor, vetëm në një apo 2 zona zgjedhore për t’u testuar, janë zgjedhjet lokale të vitit 2019, por përsëri ndryshimet ligjore dhe përgatitjet teknike duhet të fillojnë që tani ndërsa përdorimi i saj në zgjedhjet e 18 qershorit 2017 është përtej çdo mundësie ligjore dhe teknike sepse vetë Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se nuk mund të bëhen ndryshime thelbësore në kod 6 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë që, futja e votimit elektronik do të ndryshonte gati 50% të Kodit Zgjedhor dhe përgatitja e infrastrukturës së zgjedhjeve nga ana e KQZ-së do të ishte tërësisht e pamundur. Pra, ne si PS, kemi qasje pozitive ndaj votimit elektronik duke respektuar afatet dhe standardet ndërkombëtare të testimit paraprak të sugjeruara nga OSCE-ODIHR, por në rrethanat aktuale kur kemi një datë të përcaktuar të zgjedhjeve politike të 2017 nuk mund të bëhemi pjesë e asnjë aventure politike dhe elektorale.

Varianti i shtyrjes së zgjedhjeve është një opsion që do pranohet nga PS-ja?

Artikulimin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga ana e opozitës do ta quaja si pjesë përbërëse të aventurës elektorale të votimit elektronik dhe nuk kam koment të mëtejshëm.

Nga ana tjetër, në denoncimet e opozitës, vihet re një lloj frike se zgjedhjet rrezikohen nga paratë e drogës dhe manipulimet. Si pjesë e maxhorancës, cilat janë provat konkrete dhe garancia që zgjedhjet e 2017-ës do të jenë të lira?

Shqetësimi i çdo opozite janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë përherë për sa kohë që në një përballje elektorale ka një fitues dhe një humbës të zgjedhjeve.  Por nga ana tjetër mos harroni se në demokraci organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është përgjegjësi e Qeverisë dhe parë në këtë këndvështrim, ne si maxhorancë jemi tepër të interesuar për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm pasi kjo ka të bëjë më stabilitetin e qeverisjes dhe të ardhmes së vendit pas zgjedhjeve. Pra, ne nuk kemi interes që të kemi një proces zgjedhor pa standarde, përkundrazi, ndaj në komisionin e reformës zgjedhore e kemi ftuar opozitën të ndërmarrim çdo përmirësim ligjor që rrit transparencën e financimit të partive politike dhe që i pret rrugën futjes së parave të pista në fushatën e partive politike cilat do qofshin ato. Disa parti politike, jo vetëm ato të opozitës, kanë adresuar disa çështje  për zgjidhje pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore, që në këndvështrim tim si anëtar i këtij komisioni përmblidhen në dy shtylla kryesore: i) votimi elektronik që e kërkon opozita dhe ii ) financimi i partive politike dhe i fushatës zgjedhore. Nëse për të parën nuk ka  dakortësi,  jo në parim, për ato arsye që thashë më sipër që lidhen me afatin e shkurtër dhe me mungesën e një studimi fizibiliteti për përdorimin e teknologjisë në votim, për të dytën ka dakortësi për të bërë më të mirën, qëndrimet tona me ato të opozitës janë shumë afër, ka një material të sugjeruar edhe nga Këshilli i Europës për këtë çështje por ajo që duhet të bëjë Komisioni i Reformës Zgjedhore në këtë fazë është të shpejtojë në kohë për të bërë ndryshimet në Kod Zgjedhor sepse parave të pista në fushatë ju pritet rruga me masa ligjore dhe penale dhe jo me llafe dhe retorikë politike.

Zgjedhjet sjellin edhe diskutime, debat mbi koalicionet. Edhe pse Kryeministri ka pranuar se koalicionit qeverisës i duhet edhe për një mandat, LSI ende nuk ka kthyer përgjigje përfundimtare. Cili do të jetë qëndrimi i PS-së për koalicionet dhe a kini kushte për aleatët?

PS ka një qëndrim të qartë lidhur me koalicionin zgjedhor dhe kushti i vetëm për aleatët është krijimi i një mase sa më të madhe të shqiptarëve që do të mbështesin vazhdimin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria “Rama”, gjatë këtij mandati dhe që patjetër do të konfirmohet me një mandat të dytë pas zgjedhjeve të 18 qershorit 2017. Ne si PS jemi në kulmin e përgatitjeve dhe të organizimit për betejën e afërme elektorale  dhe do t’u kërkojmë shqiptarëve votën për të qenë lokomotiva udhëheqëse e reformave të nisura në Shqipëri. Shqiptarët e zakonshëm, ata që gjykojnë ftohtë dhe pa emocione politike jam i bindur se do të mbështesin fuqishëm reformat shtetndërtuese të ndërmarra nga qeveria “Rama” dhe koha për t’u provuar kjo është shumë e afërt.

PD është shprehur se Presidenti i ri mund të zgjidhet edhe nga parlamenti i ri. Emri i Presidentit, del nga radhët e LSI-së apo PS-së, si një ekskluzivitet i maxhorancës? Si do ndikojë kjo çështje në koalicionin qeverisës?

Kushtetuta e vendit nuk lë asnjë dilemë në këtë çështje. Sipas nenit 88 të Kushtetutës të ndryshuar në vitin 2008, Presidentin e ri e zgjedh ky Parlament përtej çdo dëshire apo oreksi që ka opozita. Në këtë pikë ka vetëm një diskutim që lidhet me betimin e Presidentit të ri dhe që sipas Kushtetutës, Parlamentit aktual do t’i duhet të mblidhet në një seancë solemne të jashtëzakonshme, pasi parlamenti i ri nisur nga eksperiencat tona zgjedhore edhe pse zgjedhjet janë më 18 qershor nuk mund të konstituohet për të bërë betimin Presidenti i ri sipas afatit të përcaktuar në Kushtetutë. Kështu që si zgjedhja ashtu edhe betimi i Presidentit të ri do të bëhet nga ky parlament. Presidenti do të jetë zgjedhje e kësaj maxhorance dhe detyrimi jonë ndaj shqiptarëve është që t’u japim një President dinjtoz, që do të ngrihet në nivelin e detyrës që e kërkon Kushtetuta dhe ligji dhe që të mos jetë i lidhur në ushtrimin e funksioneve kushtetuese me asnjë skalion politik pavarësisht nga mbështetja politike që do ta çojë në atë karrige. Pra shkurt na duhet një President dinjitoz, fjalëpak dhe i vendosur në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka shprehur shqetësimin për zbatimin e reformës në drejtësi. Sipas tij është krijuar një situatë kaotike me zbatimin e ligjeve të reja? Sa do të zgjasë kjo fazë tranzicioni institucionet e drejtësisë?

Më lejoni të jem i qartë dhe i prerë në këtë pikë: Reforma në drejtësi nuk ka krijuar asnjë situatë kaotike në funksionimin e institucioneve të drejtësisë në vend dhe ftoj të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë të lexojnë si duhet ndryshimet kushtetuese dhe sidomos dispozitat kalimtare të saj së bashku me aneksin kushtetues, paktën prej 7 shatë ligjesh që tashmë është në fuqi dhe do ta kuptojnë qartësisht se reforma në drejtësi nuk e pengon aspak veprimtarinë gjyqësore të gjykatave dhe as nuk e pengon prokurorinë në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimin e veprave penale. Ajo që kërkohet në këtë fazë të zbatimit të reformës në drejtësi është përgjegjshmëria dhe vullneti i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë për t’ju përmbajtur kushtetutës dhe kuadrit ligjor të miratuar dhe shpejtimi i punës për miratimin e paketës së dytë të reformës në drejtësi që përbehet nga rreth 27 ligje. Sfidoj këdo që me argumente ligjorë të dëshmojë se në cilin segment apo në cilin aspekt të veprimtarisë së gjykatave apo prokurorisë ka krijuar kaos reforma në sistemin e drejtësisë? Ky Parlament dhe kjo reformë do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve, si reforma që mbajti ndezur shpresën se ky vend mund dhe do të bëhet si të gjitha vendet e Europës, ku duam të shkojmë. Gjithë të tjerat janë retorikë ose xhelozi protagonizmi të kësaj reforme, por përtej kësaj në fund ata që kanë fituar janë shqiptarët dhe unë në këtë pikë si anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi ndjehem mirë dhe i privilegjuar që isha pjesë e këtij parlamenti.

Kur do të jepen efektet e para të reformës në drejtësi?

Efektet e para të reformës në drejtësi kanë filluar të ndjehen dhe efekti i parë dhe më i rëndësishëm i kësaj reforme është kthimi i sistemit në binarët e zbatimit të ligjit dhe shpresa e rilindur ndër  shqiptarë tek sistemi i tyre i drejtësisë edhe pse kjo do kohën e vet. Reforma në sistemin e drejtësisë është dëshmi e gjallë e faktit se një politikë e përgjegjshme dhe qytetare  nuk mund ti tradhtojë kurrë qytetarët e saj në besimin tek shteti i së drejtës.

Kryeprokurori Adriatik Llalla zgjedh vetë zëvendësin. Si e komentoni këtë urdhër të z.Llalla, që edhe keni dalë kundër? A ka kompetenca Prokurori të zgjedh zëvendësin?

Për këtë pikë jam shprehur edhe në media dhe më vjen mirë që ka reflektim për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin. As Kushtetuta e ndryshuar dhe as ligji i ri “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në RSH”, neni 39 dhe 109/2  i tij , nuk ja jep të drejtën e zgjedhjes së Zv/Prokurorit të Përgjithshëm, Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë. Kjo kompetencë  kushtetuese dhe ligjore i rezervohet Prokurorit të Ri të Përgjithshëm që do të zgjidhet pas mbarimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm aktual.

 

SHKARKO APP