Deputeti i “Sigurisë”, Lutaj reagon ndaj deklaratave të Kamenos: Greqia, shtet racist
Deklarata e ashpër e ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos, teksa komentoi foton e ushtarëve që krijonin me duar shqiponjën, simbolin e shqiptarëve, duke thënë se kushdo që nuk ndihet grek, do të kthehet në vendin e tij ka shkaktuar reagimin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Shqipëri.
Përmes një komenti në faqen e tij zyrtare, është sekretari i këtij komisioni Piro Lutaj i cili e konsideron qëndrimin e shtetit grek ndaj fotos së ushtarëve si rracist dhe të panevojshëm.
Deputeti i Partisë Socialiste e cilëson klëtë ngjarje të ngjashme me atë të valëvitjes së flamujve grekë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Megjithatë, Sekretari i Komisionit të Sigurisë deklaron se ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu anëtar i NATO-s.
Komenti i plotë i Piro Lutaj
Është e disata herë radhazi, që shteti rracist grek ndërmerr masa të tilla ekstreme ndaj shtetasve të vet, duke mos iu respektuar liritë themelore të parashikuara jo vetëm në konventat europiane e ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin e brendshëm të tyre.
Bërja e simbolit të shqiponjës nga rekrutët me origjinë shqiptare, nuk kishte asnje arsye qe të konsiderohej e rrezikshme nga autoritetet greke te Ministrisë së Mbrojtjes.
Është njëlloj sikur autoritetet shqiptare të merrnin masa ndaj dhjetëra flamujve grekë, të cilët janë vendosur kudo nëpër banesa të shtetasve shqiptarë, kryesisht në jug të vendit.
Megjithatë ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu anëtar i NATO-s.
E kuptoj pozitën e vështirë politike të Panos Kamenos, i cili ndodhet në pikiatë elektorale, por kjo nuk e motivon atë në përdorimin e gjesteve të tillë në dëm të reciprocitetit mes dy fqinjve për të realizuar qëllimet e tij personale. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike me qeverinë greke të këtij problemi, dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen.
Deklaratat e ministrit Kameno
“Kushdo që nuk ndihet grek, do të kthehet në vendin e tij”, kjo është deklarata e ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos, teksa komentoi foton e ushtarëve që krijonin me duar shqiponjën, simbolin e shqiptarëve.
Këtë deklaratë ministri i Mbrojtjes e bëri në qendrën e trajnimit të rekrutëve në Missolonghi, pikërisht aty ku disa ushtarë me origjinë shqiptare, të veshur me uniformë ushtarake greke, formuan shqiponjën me duar dhe dolën në foto.
“Ngjarje të tilla nuk do të tolerohen në Forcat e Armatosura dhe për këtë është urdhëruar një hetim i detajuar, me mandat për të shqiptuar dënime të rrepta mbi rekrutët,” tha Ministri i Mbrojtjes, i cili ka kërkuar dënime të ashpra për ushtarët.
Ai fajësoi PASOK dhe kryeministrin Simitis për dhënien e shtetësisë greke për shqiptarët, që sipas tij është dhënë masivisht, pa kontroll dhe vetëm për qëllime elektorale.